HomePolitikë

Kocijancic: Hapa përpara, por djegia e mandateve është pengesë

Protesta të përjavshme në rrugët e Tiranës ndërsa Bashkimi Evropian përgatitet të marrë vendim nëse do të hapë bisedimet për ta pranuar Shqipërinë si anëtare të re. Kështu shkruan “Zëri i Amerikës”, në një artikull ku jep një tablo të situatës në Shqipëri. Por sa do të ndikojë situata politike në vendimin për çeljen e negociatave?

Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijancic i tha Zërit të Amerikës se pavarësisht tensioneve aktuale politike “Shqipëria ka arritur rezultate të prekshme në të gjitha fushat”.

Por ajo shtoi se vendimi i opozitës “për të dorëzuar mandatet pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe minon progresin që vendi ka bërë në rrugën drejt Bashkimit Evropian”.

Kur mbeten më pak se tre muaj nga zgjedhjet lokale, pjesëmarrja e Partisë Demokratike, opozitës kryesore të vendit, është e paqartë dhe njerëzit pyesin se sa legjitime do të ishin këto zgjedhje në këtë rast.

Udhëheqësi i opozitës Lulzim Basha thotë se nuk është marrë ende një vendim përfundimtar lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje. Duket se e ardhmja politike e Shqipërisë dhe rruga e saj drejt Bashkimit Evropian, tani për tani, do të vazhdojë të jetë e pasigurt, shkruan Zëri i Amerikës.


TË NGJASHME