HomeLajmi i Fundit

Kokainë në lokalin e natës, arrestohet pronari

Pronari i një lokali në Tiranë është arrestuar nga një operacion i koduar “Befasia”, pasi u zbulua se ai kishte krijuar një vend të posaçëm për përdorimin e drogës së llojit kokainë.

Në pamjet e shpërndara nga policia e kryeqytetit shihen qentë antidrogë duke kontrolluar në një lokal nate.

Policia sqaron se operacioni u ndërmor pas informacioneve të marra në rrugë operative se në rrugën “Medar Shtylla” ndodhej një lokal ku dyshohej se persona të ndryshëm që frekuentonin këtë ambient përdornin lëndë narkotike kokainë, duke ndërhyrë menjëherë për kontroll në kushtet e flagrancës.

“Nga kontrolli i kryer nga ana e punonjësve të policisë, në ambientet e këtij lokali u  gjet dhe sekuestrua 1 qesë me lënde narkotike e dyshuar Kokainë.  Po nga kontrolli i ushtruar në tavolinat e lokalit, në afërsi të një tavoline është gjetur dhe sekuestruar një qese tjetër me lëndë narkotike kokainë dhe në një ambient tjetër të këtij lokali është gjetur dhe një fishek luftarak”, sqaron policia.

21

Nga veprimet hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, rezultoi se pronari i lokalit shtetasi R.P., kishte përshtatur lokalin për tregtim dhe përdorim të drogave të forta kryesisht Kokainë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

P., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Përshtatje e lokalit për përdorim droge” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municionit luftarak”.

Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë dy punonjës të lokalit për veprën penale “Moskallëzim krimi” dhe një shtetas tjetër, klienti i lokalit,  për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13.4 gramë kokainë , 4 aparate celulare dhe një fishek luftarak.

Materialet proceduralë do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykates së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.