HomePolitikë

Komisioni i Ligjeve miratoi në parim marrëveshjen e 5 Qershorit

Komisioni i Ligjeve në Kuvend ka miratuar në parim draftin e dakordësuar me konsensus në 5 qershor mes PS-PD-LSI dhe opozitës parlamentare.

Drejtuesi i Komisionit, Ulsi Manja tha se “nisma është depozituar nga kolegët Gjiknuri, Fino, Hysi, Bushka dhe Hyseni. Kolegët kanë qenë edhe anëtarë të komisionit të posacëm të reformës zgjedhore. Por këshilli politik në formatin që u ngrit ka dakordësuar këtë projektligj.”

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore sqaroi se “produkti adreson shqetësime të ngritura nga opozita parlamentare. Nuk arriti që të adresojë të gjitha rekomandimet e OSBE-së, pasi më shumë se standardi i ODHIR prevaloi interesi politik. Janë reflektuar të gjitha kërkesat e opozitës jashtë parlamentare. Opozita insistoi fort për t’i mbajtur. Për të arritur një paqe para zgjedhjeve të ardhshme për të hequr cdo alibi dhe Shqipëria të mos kalojë ato ngjarje të një viti më parë.”

Deputetët e opozitës parlamentare e kundërshtuan draftin duke e cilësuar si jo të ligjshëm Këshillin Politik për Reformën.

“Unë deklaroj votën time kundër në parim. Të shqyrtojmë ndryshimet kushtetuese, pastaj këtë nismë në Kodin Zgjedhor.”, tha deputeti Ralf Gjoni.

Deputetja Rudina Hajdari u shpreh se: “Ajo marrëveshje nuk ka të bëjë më reformën zgjedhore, por riktheu opozitën në sistem. Marrëveshja në këshillin politik nuk është e plotë, nuk na ndalon askush që të bëjmë të plotë për iniciativën kushtetuese që u miratuan dje për ndryshime të tjera, për të pasur një reformë të plotë. Ajo marrëveshje nuk ka vlerë derisa nuk përfshin kërkesat e opozitës parlamentare.”.

Ndërsa kryeministri në “Twitter” shkruan se“Shumica jonë në Komisionin e Ligjeve sapo votoi draftin e dakordësuar në 5 qershor me o.jashtëparlamentare! U votua pa konsensus sepse o.parlamentare vijon ta kundërshtojë marrëveshjen për mosdepolitizimin e admin.zgjedhore, kërkuar si kusht nga LBPD!”

K.S/GotaNews


TË NGJASHME