HomePolitikë

Shkarkimi i Metës, Komisioni i Venecias publikon raportin zyrtar

Komisionit të Venecias nxjerr raportin përfundimtar ku thuhet se Presidenti nuk mund të shtyjë zgjedhjet pa konsensus politik, gjithsesi, vënë në dyshim nëse kjo mund të konsiderohet një shkelje serioze.

“Edhe nëse Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat me shtyrjen e zgjedhjeve lokale, shkarkimi mund të mos justifikohet”. Kjo është ajo çfarë thuhet në komunikatën e Komisionit të Venecias për raportin përfundimtar

“Në sfondin e një procedure aktuale të shkarkimit të presidentit shqiptar, Ilir Meta, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale përtej mandatit elektoral të autoriteteve lokale, ekspertët e Këshillit të Evropës në Komisionin e Venecias konkludojnë se ndërsa Presidenti mund të ketë vepruar përtej kompetencave të tij kushtetuese, indikacione se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që mund të justifikojnë shkarkimin”, thuhet në komunikatë

“Në opinionin e miratuar sot, i cili është bërë me kërkesë të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, Komisioni i Venecias thekson se Presidenti shqiptar nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik. Edhe në rastet e emergjencave shtetërore, si lufta apo katastrofat natyrore, Parlamenti duhet të miratojë një legjislacion ‘ad hoc’ për të shtyrë zgjedhjet.

Në përgjigje të krizës politike në vend dhe bojkotit elektoral nga disa parti të mëdha politike, Presidenti fillimisht anuloi dhe më pas i shtyu zgjedhjet lokale. Edhe nëse Parlamenti mund të konfirmojë se Presidenti ka tjekaluar kompetencat, Komisioni i Venecias vë në pikëpyetje nëse kjo është e një karakteri të tillë sa të provojë “shkelje serioze”, thuhet në komunikatën e Komisionit.

Komunikata mbyllet duke theksuar se pavarësisht vendimit të Kuvendit për shkarkimin ose jo të Presidentit, vendimi përfundimtar duhet të merret nga Gjykata Kushtetuese.

“Ekspertët nënvizojnë thirrjen e Presidentit për dialog dhe besimin se shtyrja e zgjedhje mund të kontribuonte në një kompromis midis partive. Ata theksojnë mungesën e sfidimit të dekreteve të Presidentit përpara një gjykate.

Për më tepër, zgjedhjet lokale nuk kanë të njëjtin status kushtetues si zgjedhjet parlamentare. Ekspertët thonë se edhe nëse Kuvendi do të përcaktonte seriozitetin e shkeljeve, kjo nuk duhet domosdoshmërisht të çojë në shkarkim, duke marrë parasysh fuqinë e seancave plenare të Kuvendit për të marrë parasysh qëllimet e tjera kushtetuese, siç janë mbajtja e kontrolleve dhe ekuilibrave dhe stabiliteti në vend. Nëse Kuvendi do të vendoste në favor të shkarkimit, në fund do t’i takonte Gjykatës Kushtetuese, e cila aktualisht nuk funksionon, të konfirmojë nëse vendimet e Presidentit janë shkelje “serioze” që do të justifikonin shkarkimin e tij”, thuhet në komunikatë.

Mësohet se raporti përfundimtar do të publikohet të hënën.


TË NGJASHME