HomeSport

Konfirmohet, Mxit’aryan jashtë finales së Europa League

Lajmi që qarkullonte se Henrix Mxit’aryan, nuk do të merrte pjesë në finalen e Europa League, është konfirmuar sot nga Arsenal. Lajmi i publikuar sot nga klubi londinez, ka ndezur polemika të ashpra dhe debate të shumta. Origjina armene e futbollistit 30-vjeçar, ka ndikuar në këtë vendim. Përplasjet e shumta mes vendit të tij Armenisë me Azerbaixhanin, bënë që Arsenal të marrë këtë vendim, duke menduar për sigurinë e jetës së futbollistit dhe duke e lënë jashtë finales së madhe, që do të zhvillohet në Baku, Azerbaixhan.

Vendimi i klubit, ka shkaktuar një valë indinjatash në Angli, por edhe ka krijuar pakënaqësi edhe te organizatorët e këtij kompeticioni, të cilët kanë reaguar menjëherë pas këtij njoftimi. “Në akord të plotë me UEFA-n kemi njoftuar Arsenalin se jemi në gjëndje të garantojmë sigurinë e Mxit’aryan. Kjo pasi ne jemi gjithmonë në gjëndje të ndajmë një event sportive nga politika”, ka thënë sekretari i federatës së futbollit në Azerbajxhan, Elkhan Mammadov. Kjo çështje i ka kaluar kufijtë sportivë, duke sjellë edhe reagimin e diplomacisë.

Edhe ambasadori i Azerbajxhanit në Britaninë e Madhe e ka cilësuar si pakuptim vendimin e Arsenalit. “Finalja e Europa League është një ngjarje e madhe sportive. Nëse dikush do ta kthejë në çështje politike, kjo është diçka tjetër. Duhet të lemë mënjanë politikën, sepse po flasim për një atlet dhe për sport”, është shprehur për mediat angleze ambasadori azer në Londër.


TË NGJASHME