HomePolitikë

Konspiracion? Zheji: Kryeministri nuk po e kupton situatën në PS

A ekziston mundësia që brenda Partisë Socialiste të krijohet një lëvizje kundër Edi Ramës? Të paktën rrjeti po spekulon. Ish-i Arta Dade mund të jetë shprehur hapur dhe ashpër, por Pandeli Majko dhe Fatmir Xhafaj thjesht sa kanë lëshuar ndonjë ‘thumb’. Edhe Ditmir Bushati është mjaftuar me ndonjë kritikë konstruktive sot.

Por është dikush që beson se zërat kundër Ramës në PS janë të fortë dhe i rrezikojnë atij postin. Bëhet fjalë për analistin Artur Zheji.

“Në Partinë Socialiste, e cila e besoi si një kryemenaxher që do ta sillte në pushtet dhe do ta pasuronte për një raund të dytë, ka shenja të qarta mosbesimi, se kryemenaxheri-kryeministër, interesohet më së shumti për qypat e vet, mbushur me verdhushka dhe se përtej ca biznesmenëve të afërt, sa janë edhe gishtat e dorës, nuk e ha meraku për askënd tjetër. Kjo tanimë nuk është thjesht një pëshpëritje e pazëshme, apo një mërmëritje e nënshtruar, sot ish-kori i skllevërve të frikësuar nga kryeministri, po e trash zërin dita-ditës, sepse pushteti me Ramën kryemenaxher, po i dërgon drejt greminës antipopullore, por sidomos drejt greminës personale…”, shkruan Zheji në portalin e tij 360grade.al.

Madje Zheji mendon se ka nisur negociata për dorëzimin e pushtetit.

“Përgatitja reale, për një dorëzim të pushtetit te opozita, sipas parimit, ju japim Ramën, na jepni në këmbim pandëshkueshmërinë dhe lejen e heshtur, që SHPK-ja të vijojë të punojë qetësisht dhe pa shqetësime, negociate kjo mjaft delikate, por që realisht ka filluar.

Rama, nuk mbërrin dot të ndalojë këtë proces, ai mundet vetëm ta ngadalësojë, duke bërë qoka të shpejta dhe të shkathëta në individë të caktuar, por edhe kjo, në kushtet e një trysnie popullore në rritje, është sot, shumë më e vështirë se sa dje. Duket se ai vetë, në shterrim të durimit dhe të vullnetit të duhur për të përballuar këtë situatë, e ka lënë procesin në rrjedhje të lirë, duke besuar edhe raportimet e deformuara që i vijnë nga stafi që është krejt i trembur për t’i transmetuar të vërtetat që një shef partie dhe qeverie, ka nevojë realisht të dijë.

Kështu që ay, Rama pra, ka mbetur në errësirë të plotë, rrethuar nga mishngrënës, që duan më së shumti zhvatjen e llokmës së fundit, të parave dhe tenderave, se sa të kenë kokëçarjen e duhur, për shpëtimin e pushtetit të tij”./mapo


TË NGJASHME