HomePolitikë

Konstituohet Këshilli i Qarkut të Tiranës

Pas konstituimit të të gjithë këshillave bashkiakë u zhvillua sot mbledhja e parë e Këshillit të Qarkut Tiranë.

Pas verifikimit të mandateve, këshilltarët votuan për zgjedhjen e kryetarit dhe zëvendëskryetarit të Qarkut. Në mënyrë unanime, këshilltarët i dhanë mbështetjen për një mandat të dytë si kryetar i Qarkut, Aldrin Dalipit, ndërsa zëvendëskryetare u zgjodh Nertila Ndreu, që vjen për herë të parë si përfaqësuese e Bashkisë Kamzë. Gjithashtu, u zgjodh edhe kryesia e qarkut me përfaqësues të bashkive të Tiranës, Vorës, Kavajës dhe Rrogozhinës.

Në fjalën e tij, si kryetar i sapozgjedhur i Qarkut, Aldrin Dalipi tha se fokusi do të jetë inkurajimi i zhvillimit rajonal dhe nismave të përbashkëta mes bashkive.

“Qarku i Tiranës ka një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi, mban një peshë të rëndësishme të ekonomisë së vendit, të turizmit, agroturizmit, agrikulturës etj. Është e rëndësishme që të inkurajohen hapat për hapjen e tregjeve të përbashkëta, sipas standardeve më të mira, rritjen e cilësisë së shërbimeve në nivel vendor dhe mundësimin e formimit në këto fusha për të rinjtë. Eksperienca e rajoneve evropiane dhe në veçanti atyre në zonën e bregdetit Adriatik janë të vlefshme për t’u aplikuar përmes projekteve të përbashkëta”, deklaroi Dalipi.

Kryebashkiaku shprehu domosdoshmërinë që qarku të marrë një rol të ri, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë të ofrimit të shërbimeve për qytetarët. Veliaj propozoi që shumë prej shërbimeve të rikonceptohen dhe aty ku është e mundur të ofrohen shërbime të përbashkëta.

“Qarku duhet të marrë një rol të ri; për disa çështje që përfshijnë më shumë se një, dy, tre bashki, qarku ka atributet e ndërmjetësit dhe të jetë një rregullator, apo të jetë ai që na vendos proporcionet në kontribute kur vjen puna për rrugët që na lidhin me njëri-tjetrin, për ura, apo për ndërmarrje të përbashkëta”, u shpreh ai


TË NGJASHME