HomeShëndeti

Koronavirus po i detyron zyrtarët ta drejtojnë botën nga shtëpia

Shumë persona në botë po punojnë nga shtëpia për shkak të virusit që po përhapet në të gjithë botën. Nga shtëpia po punon edhe kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau. Lideri i Kanadasë momentalisht po e drejton vendin e tij ndërkohë që është në izolim pasi gruaja e tij rezultoi pozitive me COVID-19.


Virusi ka bërë që shumë zyrtarë të qeverive të botës – nga administratorët e deri tek kokat e shteteve – të marrin masa pasi kanë mësuar se ata janë infektuar ose kanë qenë në kontakt me njerëz të infektuar.


Deri tani nuk ka ndonjë sugjerim se kryeministri Trudeau mund ta ketë virusin por ai i është shtuar listës me zyrtarë të cilët janë larguar nga vendi i tyre i punës, përfshirë këtu ligjvënës në SHBA, një ministër shëndetësie në Britani, ministrin e shëndetësisë së Iranit, ministrin e kulturës në Francë dhe presidentin e Parlamentit Europian.


Politikanët që janë shumë të zënë jo gjithmonë kanë mundësinë që të bëjnë distancimin social që kërkohet në mënyrë që të mos përhapet infeksioni. Në kohëra krize atyre i duhet që të shtëngojnë shumë duar dhe madje i duhet që të vizitojnë edhe spitale ku mund të rrrezikojnë të sëmuren edhe vetë. Por çdo lider do ishte i zgjuar nëse do krijonte një plan që t’i mundësonte drejtimin e qeverisë edhe në rast se i duhej të izolohej.


“Kryeministri do e kalojë ditën me konferenca, telefonata dhe mbledhje virtuale nga shtëpia, duke përfshirë këtu edhe komunikimin me liderët e tjerë botërorë duke ju bashkuar diskutimit për COVID-19”, tha zyra e kryeministrit Trudeau.

Ai nuk është i vetmi. Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli gjithashtu është vetëizoluar për dy javë si një masë, pasi kishte udhëtuar në Itali gjatë dy javëve të fundit. Të martën ai drejtoi një mbledhje të Bashkimit Europian në Bruksel me video-konferencë.

Presidenti brazilian Jair Bolsonaro aktualisht po pret për rezultatin e testit për koronavirus, tha djali i tij në Twitter, menjëherë pasi sekretari i tij për shtypin Fabio Wajngarten rezultoi i infektuar.

Në SHBA, presidenti Donald Trump ka qenë në kontakt me njerëz që kanë rezultuar të infektuar si Wajngarten, por ai vetë nuk ka shprehur shqetësim në lidhje me këtë rast. (Megjithatë Shtëpia e Bardhë thotë se kontakti ka qenë minimal dhe se testimi nuk është i nevojshëm.)

Nëntë ligjvënës – disa prej të cilëve kanë pasur kontakt me Trump – tani po marrin hapa për tu vetëkarantinuar si një masë pasi kanë qenë në kontakt me një person të infektuar.

Qeveria e Iranit ka qenë veçanërisht e prekur nga virusi. Ish ministri i jashtëm i Iranit dhe aktualisht këshilltari i Ajatullah Ali Kamenei, Dr. Ali Akbar Velajati, ka rezultuar pozitiv pas testimit dhe është vetëkarantinuar në shtëpinë e tij në Teheran, tha një spital në Teheran për një agjenci lajmesh. Një tjetër ish këshilltar ndërroi jetë para pak ditësh pasi ishte infektuar.

Më herët këtë muaj, burime zyrtare konfirmuan se 23 anëtarë (ose 8%) të parlamentit Iranian prej 290 anëtarësh rezultuan pozitivë pas testimeve. Dy anëtarë mësohet se kanë ndërruar jetë deri tani.
Shumë zv. presidentë kanë rezultuar të infektuar.

Në Britani, ministrja e shëndetësisë Nadine Dorries raportohet të jetë e infektuar. Kryeministri i Britanisë Boris Johnson ishte në një mbledhje me Dorries pak para se ajo të rezultonte e infektuar por ai tha se nuk do ta bënte testin pasi ai nuk ka treguar asnjë simptomë deri tani.

Dhe në Mongoli, presidenti Khaltmaagiin Battulga dhe zyrtarë të tjerë tashmë janë vendosur në karantinë prej dy javësh pas kthimit nga një udhëtim një ditor në Kinë. Që nga ajo ditë thuhet se lideri ka rezultuar negativ.

Me përhapjen e virusit, shtete të ndryshme mund të shikojnë shumë zyrtarë të ndeshen me virusin politikisht por edhe personalisht. Dhe fakti se virusi është më i rrezikshëm për moshat e mëdha mund të bëhet shkak për shqetësim në shtetet ku zyrtarët më të lartë janë njerëz që kanë vite në politikë dhe tani janë në të 60-tat, 70-tat dhe 80-tat.

TATANI


TË NGJASHME