HomeLajmi i Fundit

Koronavirusi/ Bankat shqiptare këshillojnë klientët

leke-para

Koronavirusi është kthyer në kryefjalën e çdo dite. Një përcjellës shumë i mirë i virusit janë edhe kartëmonedhat. Nga një studim i publikuar edhe në Daily Mail cilësohet se ky virus mund të mbijetojë në sipërfaqe të forta nga 2 orë deri në 9 ditë.

Edhe në Shqipëri, bankat po i këshillojnë klientët të mos përdorin paranë cash. Në një njoftim dërguar klientëve të saj, Banka Kombëtare Tregtare i sugjeron që të shmangin prekjen e parave dhe nënshkrimin e faturës. Banka i këshillon gjithashtu klientët që të shmangin kontaktin në ambientet në degët e bankave dhe përdorin kanalet dixhitale online si dhe kartat pa kontakt.

Krahas njoftimeve, bankat kanë marrë dhe masa për të minimizuar rrezikun e marrjes së virusit në sportelet e bankës dhe për të siguruar punonjësit e tyre. Në sportelet e Intesa Sanpaolo klientët e mbajnë radhën jashtë dhe përpara se të futen janë të detyruar nga personeli i ruajtjes fizike që të dezinfektojnë duart. Klientët duhet të mbajnë dhe një distancë rreth gjysmë metri nga sporteli.

Edhe Union Bank në një njoftim për klientët thotë se për shkak të situatës aktuale, ka ndërmarrë disa masa që synojnë parandalimin e përhapjes së virusit nëpërmjet disa rregullave, si hyrja e kontrolluar e klientëve në degët e Bankës, mbajtja e distancës të klientëve që presin jashtë. Banka thotë se është e këshillueshme që në bankë të mos hyjnë persona që kanë udhëtuar së fundmi në vende të konsideruara me rrezikshmëri të lartë nga OBSH, si: Kina, Italia, Koreja e Jugut dhe Irani.

Të gjitha bankat i këshillojnë klientët që të kryejnë pagesat online, për të shmangur kontaktet fizike.

Risku i marrjes së viruseve nga kartëmonedhat

Risku i marrjes së korona virus nga kartëmonedhat është i konsiderueshëm. Kartëmonedhat si një mjet këmbimi qarkullojnë me shpejtësi të lartë në duar të njerëzve të ndryshëm që i përdorin ato për transaksione dhe blerje të përditshme. Kontakti njerëzor në ambiente publike, institucione, banka etj na ekspozon më tepër ndaj korona virusit.

Për të shmangur ose minimizuar këto risqe OBSH udhëzon përdorimin e metodave më të zgjuara për nevojat tona të përditshme si Bankingu Digjital dhe Pagesat Contactless (Pa Kontakt) për të shmangur kartëmonedhat e kontaminuara. Ekspertët e shëndetit këshillojnë konsumatorët që të përdorin kartat e debitit ose të kreditit për të kryer blerjet në supermarkete, karburante, farmaci etj në mënyrë që të shmanget marrja e korona virusit nga kartëmonedhat.

Shqipëria ka përdorimin më të ulët të kartave dhe shërbimeve online

Ndërsa këshillohet pasja e sa më pak kontakteve me paranë, Shqipëria ka një prej ekonomive më të mëdha cash në Evropë (22% e totalit të parasë është jashtë bankave), ndërsa ka dhe përdorimin më të ulët të kartave bankave dhe shërbimeve online.

Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Shqipëria kishte 44 karta krediti për 1,000 banorë në vitin 2018. Ndonëse ka ardhur në rritje në raport me vitet e mëparshme (treguesi ishte 28 në 2013-n), sërish kemi përdorimin më të ulët të tyre në Europë.

Të dhëna të tjera, po të FMN-së treguan se Shqipëria ka numrin më të ulët në Europë të ATM-ve (Automated Teller Machine), apo makinerive që ju lejojnë të tërhiqni paratë nëpërmjet një karte. Të matura për 100 mijë banorë, vendi ka 30 ATM, që është gati 6 herë më e ulët se në Austri, shteti që mban rekord në Europë.

Përshtatur nga Monitor