HomeSociale

Koronavirusi/ Basha apel shqiptarëve: “Zbatoni rregullat dhe izolohuni”

Në daljen e tij për media, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dha edhe njëherë mesazhin e shpresës se me forcë dhe këmbëngulje populli shqiptar do ta kalojë edhe këtë të keqe. Basha, bëri thirrje që të gjithë shqiptarët, të zbatojnë rregullat dhe më kryesorja të vetë-izolohen deri sa kjo situatë e vështirë të kalojë.

“Këto janë kohët më të vështira që kemi jetuar në një kohë shumë të gjatë. Por unë kam bindjen e thellë se me të njëjtën forcë që na ka karakterizuar gjatë gjithë historisë tonë, me besimin në Zot dhe me mbështetjen tek njëri-tjetri, do ta kalojmë këtë të keqe të gjithë sëbashku.

Si një familje e madhe, do të mund të krenohemi për jetët që kemi për të shpëtuar, për shembullin që kemi dhënë për fëmijët tanë dhe, mbi të gjitha, për një Shqipëri të nesërme në normalitet, në mirësi, në pozitivitet, edhe më të afruar e më të bashkuar me njëri-tjetrin se para kësaj epidemie.

Ndaj ju lus edhe njëherë, respektoni plotësisht të gjitha rregullat, të qëndroni në shtëpi, të merrni të gjitha masat higjeniko-sanitare. Sikundër e lus qeverinë që, menjëherë, hapat e shpallur t’i detajojë dhe t’i bëjë efektive për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

Menjëherë të shpallë gjendjen e emergjencës së fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe të urdhërojë menjëherë mbylljen e çdo biznesi me prani të madhe dhe të dendur punonjësish.

Këto janë hapa që shpëtojnë jetë dhe koha për të vepruar është tani. Ju uroj një javë sa më të lehtë!
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë”
, u shpreh Basha


TË NGJASHME