HomeSociale

Kosovë, shkon në 13 numri i të prekurve me koronavirus

Qeveria e Kosovës, me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka shpallur emergjencë për shëndetin publik.

“Sipas vendimit, obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të veprojnë konform Planit të reagimit kombëtar dhe aktivizimit të Funksionit Mbështetës Emergjent 8 (FME8 – shëndeti publik dhe shërbimet mjekësore). Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për menaxhimin e situatës së shpallur të emergjencës për shëndetin publik”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

FME 8 mundëson që institucionet përkatëse, në rastet e shpalljes së emergjencës të shëndetit publik, të mund të plotësojnë nevojat për preparate farmaceutike apo për personel mjekësor, si dhe të sigurojnë vaksina për parandalimin e sëmundjeve të caktuara ngjitëse.

Këtë mëngjes, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se janë konfirmuar edhe katër raste të reja të të prekurve me koronavirus në Kosovë. Këto raste të reja janë nga fshati Stubëll i Vitisë, familjarë të ngushtë të të moshuarit që u konfirmua i pari me pandemi.

Njoftimi i ministrit

Të nderuar qytetarë,

Mbrëmë vonë, bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste të reja pozitive me COVID-19. Të katër rastet janë nga fshati Stubëll e Vitisë, familjarë të ngushtë të pacientit të diagnostikuar pozitiv me COVID-19, me datë 13.03.2020. E gjithë familja kanë qenë në vetizolim dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë testimin edhe të familjarëve të tjerë.

Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e juaj është e domosdoshme. Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Ju faleminderit për mirëkuptim!


TË NGJASHME