HomeSociale

Koronavirusi, Vasili: Si të kufizojmë pandeminë dhe efektet e saj

Pas konfirmimit të dy rasteve me koronavirus në Shqipëri ka reaguar edhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili.

Me anë të një deklarate Vasili tha se do të mbështesë çdo masë që merret nga autoritetet shëndetësore.

Vasili bëri thirrje që të ofrohen të gjitha masat e nevojshme edhe për personelin mjekësor, që sipas tij, është në vijën e parë të përballjes me rrezikun.

Gjithashtu ai tha se si profesionist i fushës i bën thirrje qytetarëve për qetësi dhe zbatimi i çdo rregulli, i çdo mase, i çdo këshille që autoritetet japin është kyçi i suksesit.

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili:
Të nderuar qytetarë dhe qytetare.
Shqipëria sot ndodhet praktikisht në një emergjencë shëndetësore që lidhet pikërisht me shfaqjen e Coronavirus në Shqipëri. Është një moment jo vetëm delikat, por një moment që kërkon profesionalizmin dhe gjakftohtësinë e duhur për të përballuar këtë situatë, e cila e menaxhuar me interes të lartë dhe me kujdes, mund të kalojë me pasoja minimale.

Në këtë moment kryefjala e çdo veprimi është profesionalizmi. Këtë betejë me Coronavirusin, të jeni të bindur e fiton organizimi i mirë, rigoroz dhe pa toleruar asnjë element të parandalimit të profilaksisë dhe të masave të sanitetit, të cilat janë mbretëreshat e të gjithë instrumenteve për përballimin e situatës. Sigurisht që çdo masë që merret nga autoritetet shëndetësore është e mbështetur nga ne, sepse janë masa standard dhe që aplikohen në Shqipëri përgjithësisht sipas një mënyre dhe rregulli, i cili po zbatohet edhe në vende të tjera.

E veçanta qëndron në rigorozitetin që këto masa të zbatohen me përpikërinë më të madhe. Natyrshëm frontin themelor të kësaj lufte e mban personi dhjetëra dhe mijërash mjekësor, që për hir të detyrës së tij është në vijën e parë dhe në kontaktin e parë me këtë problematikë tepër serioze. Për këtë arsye kam tërhequr dhe tërheq vëmendje sërish, nuk duhet të kursehet asgjë nga pikëpamja financiare për të siguruar të gjitha mjetet e domosdoshme, dezinfektant, doreza të gjitha lëndët e tjera, maskat dhe gjithçka duhet, nuk do doja ti përmendja të gjitha që i duhen personelit mjekësor pasi e gjithë kjo armatë duhet të jetë në vijën e parë, të jetë e parrezikuar sepse është ajo që përballet në mënyrë të drejtë për drejtë me situatën. Të gjithë në këto moment jemi solidar me çdo situatë që ndërmerret, dhe jemi njëherazi objekte dhe subjekte në një situatë e cila na intereson dhe na afekton të gjithëve. Dikush mund të thoshte që janë vetëm 2 raste dhe mundet të flinte mbi dafina, nga eksperienca shumë vjeçare edhe personale në përballimin e epidemive dhe pandemive tepër të rënda mund të themi që duhet ta konsiderojmë veten në emergjencë sanitare maksimale.

E kontrolluar mirë mund të kufizojmë maksimum pandeminë dhe efektet e saj. Vetë kënaqja apo ideja që rastet janë shumë të pakta apo janë raste të lehta mund të na fusin në qorr-sokak me pasoja të pa parashikueshme. Higjienizimi dhe saniteti i të gjithë strukturave shëndetësore, spitalore dhe qendra shëndetësore me një regjim saniteti maksimalisht të lartë dhe i monitoruar ky në mënyrë të përditshme është edhe ky një element kyç i suksesit. E thënë më thjesht për qytetarët, spitalet dhe qendrat tona shëndetësore duhet të ndrijnë si asnjëherë dhe në ditët e zakonshme të rutinës. Dhe ky sanitet maksimal duhet sot si kurrë më parë. Nuk ka formula të jashtë zakonshme, ka vetëm zbatim të protokolleve të trajtimit klinik të shfaqjes së rasteve janë tashme të njohura të klinicistëve dhe sigurisht besimi ynë është i plotë në besimin e këtyre protokolleve prej kolegëve tanë, por terreni, vija e parë, masiviteti i komunikimit dhe mundësive të shfaqjes janë atje në komunikimin e parë të njerëzve.

Sigurisht që nuk duhet neglizhuar asnjë element, qoftë dhe ai që duket më periferiku pasi dhe ai mund të bëhet shkaku kryesor.

Sot thirrja ime jo si politikan, por si profesionist i fushës është, qytetarëve dhe thirrja është për qetësi dhe zbatimi i çdo rregulli, i çdo mase, i çdo këshille që autoritetet japin është kyçi i suksesit.

Asnjë lloj qëndrimi aventuror apo ideja se jemi të fortë do të ishte një vetëvrasje e vërtetë. Duke zbatuar rregullat, sigurisht do të arrijmë që të kalojmë këtë moment të vështirë dhe me të cilin Europa po përballet, Italia po përballet dhe sigurisht në mënyrë dramatike, por lajmet nga vendi ku kjo epidemi lindi, nga Kina janë lajmë që tregojnë qartë që epidemia atje ka rënë në mënyrë drastike prandaj duhet të përballemi me shumë seriozitet në këtë moment akut, me të cilin përballet Shqipëria në mënyrë që të kemi mundësi të dalim prej epidemisë me kryesore, pasoja minimale dhe lusim të gjithë Zotin që të mos kemi qoftë dhe humbjen e një jete njeriu.
Ju faleminderit të gjithëve!

K.S/ GotaNews


TË NGJASHME