HomeRajon

Kosova, Serbia bisedojnë për rihapjen e linjës hekurudhore

Ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë, zhvilluan të hënën një takim në Berlin për të rihapur linjën hekurudhore ndërmjet tyre, me ndërmjetësimin ambasadorit amerikan, Richard Grenell, i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Edlira Bllaca, zoti Grenell vlerëson lart përparimin që kanë arritur palët gjatë këtij takimi, derisa autoritetet në Prishtinë thonë se janë të gatshëm të nënshkruajnë cfarëdo marrëveshje që nuk cenon sovranitetin e vendit.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadori, Richard Grenell, vlerësoi lart përparimin e arritur nga përfaqësuesit e të dyja shteteve në takimin e së hënës në ambasadën amerikane në Berlin, mbi mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje për transportin hekurudhor.

Në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, zoti Grenell, tha se diskutimet kanë shkuar aq mirë saqë palët kanë arritur të flasin edhe për çështje të tjera, por pa saktësuar se cilat ishin ato.

“Ne do të punojmë për të përfunduar ‘letrën e qëllimit’ përmes postës elektronike gjatë javës së ardhshme. Dua të falënderoj sërish ekspertët nga Serbia e Kosova që kanë qëndruar në Berlin për këto bisedime”, tha zoti Grenell.

Hekurudhat e Kosovës menaxhohen aktualisht nga dy kompani publike, INFRAKOS që merret me menaxhimin e infrastrukturës dhe TRAINKOS që merret me transportin.

Liridon Drenica, drejtor i departamentit për zhvillimin e bizneseve në Trainkos, thotë se tash për tash asnjë tren nuk udhëton drejt Serbisë, ndërsa çdo ditë vijnë dy deri në katër trena nga Serbia deri në Zveçan, një komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas tij, Kosova do të përfitonte nga një marrëveshje për funksionalizimin e linjës hekurudhore me Serbinë, vetëm nëse ajo nuk e shkel sovranitetin e vendit.

“Mendimi jonë është që cdo marrëveshje e cila do të nënkuptonte që trenat e mallrave dhe të udhëtarëve do të lidhen jashtë kufirit, që është në Leshak, ajo është shkelje e sovranitetit. Mendimi jonë është që kjo të bëhet duke u bazuar në rregulla ndërkombëtare të hekurudhave, ashtu siç veprojmë edhe me Maqedoninë ku trenat lidhen në Han të Elezit dhe secila pjesë e respekton sovranitetin e vet dhe të tjetrit dhe në këtë mënyrë do të funksiononte normalisht”, thotë ai.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit në Kosovë, Pal Lekaj, tha se dy zyrtarë të departamenteve të ndryshme nga kjo ministri kanë qëndruar në Berlin për diskutimet mbi këtë marrëveshje, të cilat i vlerësoi si shumë pozitive. Ai tha se po priten projekt propozimet e letrës së qëllimit, duke garantuar se nuk do të nënshkruhet dicka që prek sovranitetin e Kosovës.

“Sa i përket përfitimeve ekonomike janë shumëdimensionale sepse transport i mallrave përmes trenave është shumë më i lirë, dhe sidomos lidhja e korridoreve posaçërisht me ato panevropiane mendoj që ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik. Ne jemi deklaruar si Kosovë se do të ndikojmë pozitivisht në cdo marrëveshje që nuk e prek sovranitetin dhe vendin apo Kushtetutën e Kosovës”, tha zoti Lekaj.

Zoti Drenica vlerëson që edhe nëse arrihet një marrëveshje e tillë do të duhet kohë deri na zbatimin e saj, duke pasur parasysh që tash për tash trenat nuk lëvizin fare në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Megjithatë përfitimet në kuptimin ekonomik janë të mëdha, thotë ai.

“Aktualisht ne si korridor ndërkombëtar e kemi vetëm pjesën nga Maqedonia dhe kjo paraqet ndoshta edhe një problem të madh të operimit tonë, për shkak se tash jemi vetëm si pikë nisëse apo si pikë e përfundimit, pra nuk jemi transit për asnjë pjesë. Në rast të funksionimit të kësaj linje kjo do të nënkuptonte një rritje ekonomike për vendin për shkak se të gjitha bizneset do ta shfrytëzonin më shumë trenin duke pasur parasysh se kostoja e transportit të mallrave me tren është shumë më e lirë se ajo me kamionë”, thotë ai.

Diskutimet për një marrëveshje të re për linjën hekurudhore ndërmjet Kosovës e Serbisë, pasuan nënshkrimin e një marrëveshjeje midis dy vendeve për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, me ndërmjetësimin ambasadorit Grenell, i cili ngulë këmbë se përmirësimi i lidhjeve ekonomike midis dy vendeve dhe hapja e vendeve të punës do të ndihmojë tërë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina vendosi tarifa ndaj mallrave serbe në shenjë kudnërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër pavarësisë së Kosovës.

Ambasadori Grenell i cili vizitoi të dyja vendet javën e kaluar tha se tarifat duhet të hiqen dhe Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.


TË NGJASHME