HomeLajmi i Fundit

Kosovë, reagojnë zyrtarët ndaj sulmit të gruas rome

Menjëherë pas sulmit të gruas rome ditën e sotme në qytetin e Ferizajt, kanë reaguar disa nga drejtuesit e institucioneve zyrtare në Kosovë.

Adriatik Kelmendi ka reaguar pas sulmit ndaj gruas rome, që u rrah sot brutalisht nga disa të rinj në Ferizaj. Sipas tij, kjo është një turp më e madhe për ne si shoqëri.

Shënimi i plotë:

Kjo është marrja më e madhe për ne si shoqëri. Një individ për shkak se ka ngjyrë pak më ndryshe të lëkurës dhe vishet në një mënyrë të veçantë, së pari e bëjmë burrë të maskuar, pastaj shpifim se po rrëmben fëmijë, në fund fillojmë edhe ta rrahim.

Pse? Se jemi në masë injorantë.

Të parët jemi për moralizime me njëri-tjetrin, në media ose në rrjete sociale.

Reagojmë për shumë çështje me plot frustrim.

Por, sa herë jemi bërë të sinqertë e ta pyesim veten:

– A i them unë fëmijëve të mi “maxhup”, “shka”?

– A i them se gratë nuk duhet të përzihen në punë të burrave?

– A i them se “zezaku” është i rrezikshëm?

– A i them se komuniteti LGBT janë bulasha, pedera, të smutë?

Nëse të del se po, e ke edhe përgjigjen pse po rrahet një grua e pafajshme. E keqja është që me këto kallëpe një ditë secili mund ta pësojë njëjtë.

Kryeparlamentari Kadri Veseli pas publikimit të pamjeve se gruaja rome është sulmuar përsëri ka kërkuar menjëherë veprim institucional të organeve të sigurisë.

“Jam i shokuar me pamjet e sulmit ndaj një qytetare të lirë të këtij vendi. Veprime të tilla janë të papranueshme. Është i domosdoshëm veprimi i menjëhershëm dhe institucional i organeve të sigurisë në lidhje me rastin. Çdo shqetësim publik duhet të trajtohet në mënyrë institucionale. Linçimi publik nuk na nderon si shoqëri demokratike dhe nuk guxojmë dhe as që duhet të lejojmë që secili të marrë të drejtën e gjyqësisë në këtë vend”, ka shkruar Veseli,

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një statusi në profilin e tij zyrtar ka shprehur indinjatën për sulmin që iu bë gruas rome në qytetin e Ferizajit.

“Kur dikush sulmohet njëherë, e sulmi paralajmërohet prapë, e shteti deklarohet që po e merr në mbrojtje e pas një dite ai person sulmohet prapë brutalisht, çka me ba me këtë shtet?

Perveç turpit të përgjithshëm që duhet ta kemi të gjithë, tani duhet të kërkojmë përgjegjësi prej shtetit, prej Ministrisë së Punëve të Brendshme, prej policisë e deri tek të gjitha ata që kanë pas përgjegjësi për ta mbrojtur qytetaren.

Të gjithë neve që jemi prind, ta përkujtojmë të reagojmë sa herë që e dëgjojmë fëmijët tonë kur shprehin ksenofobi, kur kanë paragjykime, kur përdorin fjalë fyese. Tolerimi i paragjykimeve e ksenofobisë sjellë mentalitete të turmes dhe sulme të tilla”, është shprehur Ahmeti.

Edhe Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka reaguar pas sulmit që iu bë sot gjatë ditës gruas rome në Ferizaj.

“Terror kolektiv mbi nje grua te pafajshme.

Turp per te gjithe ata qe moren pjese ne kete dhune, racizem, diskriminim, dhe poshtnim publik”, ka shkruar deputeti Gashi