HomePolitikë

KPK shkarkon prokurorin e Tiranës, kandidat për SPAK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Tiranës, njëherësh edhe kandidatit për SPAK, Ndini Tavani.

Vendimi është dhënë sot, ndërkohë që hetimi për të u krye në të tria kriteret e rivlerësimit, në atë të pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës. Komisioni, gjatë hetimit administrativ, ka konstatuar se pamjaftueshmëri dhe mungesë të burimeve financiare për pasuritë e deklaruara nga Tavani, ndërsa nga raporti i Komisionit rezultoi me probleme edhe në pastërtinë e figurës.

Në lidhje me pasurinë, ILDKPKI kishte dorëzuar një raport me konstatimin se deklarimi i prokurorit ishte i saktë dhe në përputhje me ligjin. Por, Komisioni njoftoi në seancën e kësaj së hëne, se kishte kryer një hetim të thelluar për pasurit e subjektit.

PASURIA

Prokurori ka në pronësi një apartament në Tiranë, në vlerën 4 milionë e 500 mijë lekë. Burimi i të ardhurave janë pagat e tij dhe të bashkëshortes, si dhe të ardhurat e tij si avokat, para nisjes së detyrës. Për këtë pasuri, KPK konstatoi se deklarimet përputheshin dhe nuk ka probleme në vërtetësinë e tyre. Por dyshime janë ngritur në lidhje me burimin e kësaj pasuri. Të ardhurat e deklaruara nga avokatia, Komisionit i kanë rezultuar më pak se ç’ka deklaruar subjekti.

Komisioni është duke shqyrtuar dokumentet dhe pretendimet e subjektit për këtë pasuri. Pasuria e dytë që ka deklaruar është një makinë “Citroen”, e blerë në 2016 për 900 mijë lekë. Nga hetimi i kryer për këtë pasuri nuk janë konstatuar problematika për deklarimet, sa i takon mënyrës së blerjes dhe pagesën. Ndërkohë, nga ana financiare ka rezultuar se subjekti ka qenë në pamundësi financiare për kryerjen e këtij shpenzimi. Pasuria e tretë e analizuar është një tjetër makinë tip “Benz”, e blerë në vitin 2009 për 7 mijë euro, të shitur në vitin 2016.

“Nga hetimi dhe përllogaritjet e kryera, dukej se nuk ka pasur mundësi financiare për blerjen e kësaj pasurie, si dhe të përballojë shpenzimet e tjera”, tha relatorja. Në sitë kanë kaluar edhe të ardhurat e prindërve të prokurorit, si dhe investimi i tij në një banesë, në të cilën është bashkëpronar me ta.

FIGURA

Në lidhje me pastërtinë e figurës, fillimisht Drejtoria e Sigurimit t Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një raport me konstatimin se prokurori nuk ka kontakte të papërshtatshme dhe është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Por, në një raport të dytë, DSIK ka sjellë një raport ku konstatonte papërshtatshmërinë në detyrë dhe ngrinte dyshime edhe për shpërdorim detyre në lidhje me një çështje.

Vetë Ndini Tavani e ka konsideruar si tejkalim të kompetencave raportin e DSIK dhe që është bërë për rëndimin e pozitave të tij. Prokurori ka dorëzuar të gjithë dosjen dhe punën për këtë çështje, deri në dërgimin në gjyq. “KPK do të marrë parasysh shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti”, tha relatorja.


TË NGJASHME