HomePolitikë

KQZ merr vendimin për Agim Kajmakun

Me 5 vota pro KQZ, ka vendosur të shkarkojë sot nga detyra kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmakun. Për këtë vendim do të duhet të njoftohet menjëherë kryeministri Edi Rama, tha kreu i KQZ Klement Zguri.

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba gjatë shqyrtimit të kërkesës se për prokurorisë për heqjen e mandatit të Agim Kajmakut, ka lënë të kuptohet se kryebashkiaku i Vorës po shkon drejt shkarkimit.

Biba tha sot se pavarësisht se Agim Kajmaku nuk preket nga ligji i dekriminalizimit, ai penalizohet nga vendimi i Kuvendit që parashikon që në rast të fshehjes së dënimeve, funksionari publik shkarkohet nga funksioni.

Nënkryetari i KQZ-së shtoi se nga ana profesionale ai është kundër këtij vendimi, por ai tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të respektojë vendimin e legjislatorit.

“Jemi në një fazë shumë delikate. Morali i shoqërisë është duke u ndërtuar dhe nuk duhet harruar që dhe krimineli më i madh ka dinjitet. Organet shtetërore duhet të mbrojnë dinjitetin e çdo qenie.

Në rastin konkret zotëria që është subjekt i hetimit, dhe nga materialet që ka ardhur nga prokuroria  është dyshuar, është arrestuar dhe ka pasur arrestim për të për qarkullim të monedhave të falsifikuara.

Ka një vendim gjykatë për të individi Kajmaku është i pafajshëm. Kajmaku është i denjë si individët e tjerë.

Vendimi i Kuvendit që thotë se fshehja e të dhënave çon në shkarkimin e funksionarit. Ne nuk jemi Kuvendi i Shqipërisë, ne kemi detyrim ta zbatojmë këtë vendim. Paçka që ky vendim e ka tejkaluar ligjin.

Agim Kajmakun nuk e kap ligji, por vendimi i Kuvendit. S’mund të behet bishti më i rëndë se sqepari.

KQZ-ja kam frikë se mund të bëj, pak ose aspak. Ky ka qenë vullneti i legjislatorit, ky është një vendim i Kuvendit dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë veçse ta zbatojmë”, tha Denar Biba.

Pas këtij argumentimi KQZ është tërhequr për vendim.


TË NGJASHME