HomeKulturë

‘Kreditorët’ përfundoi shfaqjet tek ArTurbina

Shfaqja “Kreditorët” me regji të Luli Hoxhës u ngjit këtë fundjavë në skenën e ArTurbinës. Vepra e shkruar nga August Strinberg në 90 minuta trajton marrëdhënien bashkëshortore. Marrëdhënia erotike edhe ngarkesat emocionale të një gruaje, Teklës (Luli Hoxha) bëjnë që shfaqja të jetë aktuale edhe sot, kur kanë kaluar 130 vite nga koha që është shkruar.

Vepra e Strindberg interpretohet për publikun nga aktorët Helidon Fino, Luli Hoxha, Laert Vasili, ku në skenë është dhe Tringa Shala. Me regji nga Luli Hoxha, një nga kryeveprat e autorit të madh skandinav erdhi për të hedhur dritë mbi marrëdhëniet bashkëshortore. Regjisore dhe aktore në dramë Luli Hoxha ka treguar se është hera e dytë, që ajo punon me një vepër të autorit August Strindberg.

Autori, në fokus ka më tepër marrëdhëniet burrë -grua dhe këtu nis dhe zanafilla e ndërtimit të gjithçkaje. Dhe gjithë këto problematika, ai i zbërthen në këto dy vepra të tij. Në fokus të të dyja veprave është e vendosur femra, e cila mbart gjithë këtë zinxhir të marrëdhënieve. Aktori Laert Vasili është shprehur se janë probleme aktuale që trajtohen në vepër.

Shfaqja u ngjit këtë fundjavë (25-26-27 janar) në skenën e ArTurbinës, por do të udhëtojë edhe në teatrot e rretheve, në Korçë, Elbasan dhe në Vlorë.


TË NGJASHME