HomeLajmi i Fundit

Kreu i Emergjencave të BE: Ky proces po ecën mirë

Peter Glerum

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, sa i takon situatës së krijuar në Shqipëri, krahas ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca; fjalën e mori edhe drejtuesi i Ekipit të Mbrojtjes Civile në BE, Peter Glerum.


“Ne do jemi këtu deri në vlerësimin e plotë të dëmeve dhe deri në momentin kur ndihma ndërkombëtare të shkojë në destinacion dhe do sigurohemi se çdo njeri që është në nevojë do ta marrë atë. Për momentin kemi krijuar një bashkëpunim të shkëlqyer me qeverinë shqiptare”, tha Glerum.

“Jam këtu me një ekip ekspertësh të BE dhe Kombeve të Bashkuara, duke kombinuar përpjekjet tona në një reagim ndërkombëtar për të siguruar një reagim të koordinuar”, shtoi ai.

Më tej, drejtuesi i emergjencave deklaroi se situata në Shqipëri për rimëkëmbjen e kësaj situate po ecën mjaft mirë.

“Ishte një situatë kaotike në fillim, por tani një strukturë e themeluar mirë, me ministrin Çuçi, për të koordinuar të gjithë aktivitetet dhe ne e mbështesim atë. E mbështesim në vlerësimin e dëmeve, pra ne vlerësojmë të gjithë ndërtesat për sigurinë për të siguruar të gjithë shqiptarët të dinë nëse mund të kthehen në shtëpitë e tyre ose nëse ato duhen riparuar apo shkatërruar plotësisht. Dje patëm 38 inxhinierë në terren, sot do të kemi 50 dhe operacioni do të vazhdojë edhe ditët në vijim. Do të jetë një kombinim mes shqiptarëve dhe inxhinierëve ndërkombëtarë për të siguruar standardet ndërkombëtare. Ky proces po ecën mirë”, theksoi Peter Glerum.