HomeLajme

Krokodili 350 kg kapet në pikën më turistike në Australi (FOTO)

Një krokodil gjigand, 4,4 metra i gjatë, është kapur në një pikë tepër të frekuentuar turistike në veri të Australisë.

Sipas autoriteteve kafsha, që peshon 350 kilogramë, u kap të premten, pasi kishte ngecur në një pellg pranë Parkut Natyror të lumit Flora, një prej vendeve më të vizituara nga turistë vendas dhe të huaj pranë qytezës Katherine.

Krokodili është ndër më të mëdhenjtë e kapur në zonë, edhe pse në korrik 2018, një tjetër kafshë, 4,7 metra e gjatë, u kap nga autoritetet. Sipas tyre, kafsha do të dërgohet në një qendër ku do të përdoret për mbarështimin e krokodilëve të tjerë.

Krokodilët e ujërave të kripura janë ndër më të mëdhenjtë mes krokodilëve dhe zvarranikëve të tjerë. Meshkujt e rritur arrijnë deri në 7 metra gjatësi dhe gati 1000 kg peshë. Ata qëndrojnë zakonisht pranë grykëderdhjeve të lumenjve në det ose në laguna apo pellgje.

Vetëm në veriun e Australisë jetojnë rreth 100 mijë krokodilë të ujërave të kripura, sipas shifrave zyrtare të qeverisë. Gjuetia e tyre është e ndaluar por krokodilët problematikë, që përbëjnë rrezik për njerëzit, kapen nga autoritetet, sipas shifrave zyrtare, mesatarisht 250 çdo vit.

Burimi: Sky News


TË NGJASHME