HomePolitikë

Kryemadhi: BE duhet të na pranojë për vlerat e familjes

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi në fjalën e saj në Festivalin e Paqes dhe të Familjes deklaroi se kombi shqiptar mbështetet tek familja e fortë dhe te vlerat e e pamohueshme atdhetare.

Kryemadhi theksoi se qeverisja e sotme, fatkeqësisht, me politikat e saj, ka bërë që familjet shqiptare të jetojnë në një varfëri thuajse ekstreme. Ajo shtoi se rinia po ikën dhe është për të ardhur keq që shtylla kryesore e kombit largohet nga vendi.

Fjala e Monika Kryemadhit:

E nderuar nëna Munë!
Doja që në shtëpinë tuaj të madhe të jetë një jelek i një burri shqiptar i vitit 1718 ku në supet e atij jeleku qëndrojnë betejat e mëdha të një burri për të mbajtur në këmbë familje, gruan, fëmijët dhe për të luftuar për çdo gjë që është shumë e shtrenjtë, familja e tij.
Dua që nga kjo sallë që për hir të së vërtetës është një sallë që ne e kemi mbushur shpesh me tubime politike, me të rinj dhe të reja, me gra dhe me vajza dhe kemi folur për politikë, por në fakt sot kjo sallë duket shumë më e bukur, shumë më jetësore, ka dashuri brenda sepse flitet për gjënë më të shrenjtë të njerëzimi që ësthë familja.

Nuk duhet të kemi asnjë vështirësi për të punuar në vendin tonë, i cili ka shumëllojshmëri besimesh. Mjafton ti trajtosh të gjithë njerëzit si bijtë e Zotit dhe tu mësosh atyre dy gjëra: Gjëja më e bukur që u duhet shpallur njerëzve, është FALJA. Ndërsa gjëja që është e domosdoshme FAMILJA.
Sepse dashuria dhe respekti fillon në FAMILJE, pastaj vjen qyteti yt dhe atdheu yt.

E djeshmja ka kaluar. E nesërmja do ende kohë që të arrijë. Neve në dispozicionin tonë kemi vetëm të sotmen. Nëse sot do ta ndihmojmë FAMILJEN duke i dhënë dinjitetin që meriton, vetëm në këtë mënyrë e gjithë bota do të ketë guximin e nevojshëm për të përballuar sfidat e kohës.

Duhen dashur FAMILJET shtëpiake, nëse duam që i gjithë njerëzimi të jetë si një FAMILJE.

Ky është një aktivitet që lartëson idealin e familjes dhe rithekson dedikimin tonë, si prindër në radhë të parë, si burra dhe gra, të cilët jemi të përkushtuar për një familje të bashkuar, për të dhënë dashuri, edukim, dinjitet, besim, kulturë për fëmijët shqiptarë.
Për të patur një komb të fortë, i cili në themelin e tij ka familjen, dashurinë për Atdheun dhe Besimin në Zot.
Është familja tradicionale shqiptare, ajo që na ka dhënë forcë si popull për t’u përballur me sfidat e mëdha ndër shekuj, që nga rezistenca ndaj asimilimit, nën perandoritë e Romës, Bizantit dhe asaj Osmane ku me dhjetëra kombe janë shuar dhe deri tek krenaria e sotme e të qenit shqiptar.
Është familja shqiptare, vatra e saj, megjithëse e varfër, pore mbushur plot me dashuri, ngrohtësi dhe respekt, e cila ka ruajtur gjuhën, zakonet, vlerat dhe virtytet tona, që na bëjnë kaq të veçantë si një komb nga më të vjetrit.
Pa këtë dashuri të mbrujtur nga prindërit shqiptarë nuk do të kishim kaq shumë kujdes nga fëmijët e tyre, të cilët varfëria i ka çuar në emigracion, megjithëse larg familjes, në punë të vështira, sakrifikojnë për të mbajtur dhe për t’u përkujdesur për prindërit e tyre. Janë me mijëra shembuj të tillë dhe kjo është një tjetër veti që na bën shumë ndryshe nga të tjerët.
Edhe pse pak ditë më parë BE na dha një përgjigje të dëshpëruar, ne të vetmen vlerë, të cilën nuk e tjetërsojmë dot është familja ku bazën tonë të shoqërisë kemi familjen. Një familje e fortë, prodhon një shoqëri të fortë

Sot pjesa dërrmuese e pensionistëve shqiptarë nuk do të kishin mundësi të kalonin një javë, jo më muajin me pensionet qesharake që marrin sot. Me ato të ardhura, ata nuk do mundnin të paguanin ilaçet, faturat e dritave edhe të ujit. Por është familja, fëmijët, që janë krah tyre dhe ky akt sublim është i çdo fëmije, që është i edukuar me dashurinë për prindërit, për familjen.
Ky fakt më bën krenare sot para gjithë miqve të huaj që janë të pranishëm në Shqipëri dhe që janë në këtë sallë.
Sot në botën globale, të lëvizjes së lirë të njerëzve kemi edhe familje heterogjene për nga përkatësia e kombësive. Kemi djem dhe burra shqiptarë të martuar me gra dhe vajza të kombësive të tjera, si edhe anasjelltas vajza edhe gra shqiptare të martuara me djem dhe burra të kombësive të tjera.
Kam qenë e ftuar shpesh nga shtëpitë e këtyre çifteve heterogjenë, por kam vënë re diçka, që pavarësisht nëse është burri apo gruaja me kombësi shqiptare, traditat, zakonet, gjuha përçohen me shumë dashuri dhe përkujdes tek fëmijët e tyre.
I uroj të gjithë këtyre nënave dhe baballarëve një jetë të lumtur, një vatër të ngrohtë dhe të dhurojnë sa më shumë dashuri për fëmijët e tyre.

Në këtë atmosferë desha të ndalesha pak edhe tek disa probleme që e shqetësojnë sot familjen shqiptare.
Sot të rinjtë shqiptarë po kërkojnë të largohen nga vendi, sepse politika ende nuk po i jep shpresë.
Sot kemi me mijëra fëmijë shqiptarë, që prindërit e tyre, të detyruar nga varfëria, papunësia, pamundësia ekonomike detyrohen të “braktisin” fëmijët në rrugët e qyteteve evropiane, me shpresën që të gjejnë një strehë dhe shkollim nga ligji evropian për përkujdesjen e minorenëve të braktisur.
Zoti i ruajt këta fëmijë dhe i faltë prindërit e tyre, vetëm ata e dinë sesa vuajnë në zemër.
Vetëm në Itali janë braktisur mbi 1550 fëmijë, sipas UNICEF Italia për vitin 2018. Qindra të tjerë janë në Francë apo Britani. Kjo është një këmbanë alarmi për të gjithë ne. Për ata që duan të dëgjojnë dhe për ata që nuk duan të dëgjojnë.

Biznesi i vogël dhe i mesëm, ku të punësuar janë anëtarët e së njëjtës familje, është nën presionin e taksave të larta, konkurrencës së pandershme, nga klientelistët pranë qeverisë dhe politikanëve, të cilët përkrahen hapur nga qeveria në kurriz të më të dobtëve. Kjo po sjell largimin e shtresës së mesme në emigracion dhe një gjendje të keqe ekonomike për familjet shqiptare.
Familjet fermere dhe ato që merren me blegtori janë në kufijtë e mbijetesës. Edhe këtu është konkurrenca e pandershme e importuesve të mëdhenj, mungesa absolute e subvencioneve në bujqësi, që po sjell shkatërrimin e fermave, të cilat janë baza e familjes shqiptare në fshat.
Pandjeshmëria, nëpërkëmbja dhe dërgimi drejt falimentit të biznesit të vogël dhe të mesëm, shkatërrimi i fermerëve dhe blegtorëve është një goditje në kolonë vertebrale të Kombit tonë.

Për mua si nënë në radhë të parë, por edhe si lidere e një force politike, që pjesa me e madhe përfaqësohet nga të rinj dhe të reja.
Ne të gjithë bashkë duhet të bëjmë gjithçka që të ndalim hemorragjinë kombëtare të shpopullimit, të ndezim dritën e shpresës për rininë, të zhvillojmë ekonominë dhe të hapim tregun për të gjithë.
Kjo do të arrihet përmes reformave të thella ekonomike, uljes së taksave dhe çlirimit të ekonomisë nga PPP që i kanë zënë frymën të ardhmes.
Këto reforma do të jetë garancia për familjet shqiptare, për punësimin e tyre, për një të ardhme të sigurt dhe të lumtur në atdheun tonë.
Unë ju falenderoj edhe njëherë për këtë aktivitet të jashtëzakonshëm, për këtë mesazh të paqtë që na dhatë, për këtë energji që na përçuat, për këtë energji pozitive që po na mungon prej kohësh.
Zoti ju ruajt ju! Zoti ju ruajt familjet tuaja dhe bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët dhe të gjithë njerëzit e mirë që janë kudo në botë, të cilët kontribuojnë për paqe, kontribuojnë për familjen !
Një familje e shëndoshë, prodhon një shoqëri të fortë. Një shoqëri e fortë, prodhon paqe dhe lumturi për të gjithë njerëzit në botë.
Zoti ju ruaj!
Faleminderit!


TË NGJASHME