HomePolitikë

Kryemadhi: Ja mënyra që i jep fund këtij debati shterpë/ Replikon analisti

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin ‘Real Story’,  ka folur mbi zgjedhjet e 30 qershorit dhe për dekretin e Presidentit të Republikës për 13 tetorin.

Kryemadhi tha se dekreti i presidentit megjithëse u komentua nga gazetarët si frymëmarrje për opozitën, ai i dha frymëmarrje kryeministrit të vendit, Edi Rama.

Nëse zgjedhjet do mbaheshin më 13 tetor u shpreh kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim do t’i jepte mundësinë kryeministrit Edi Rama që të zhvillonte zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat sipas saj morën një raport kritik nga ana e OSBE-ODHIR. Sipas Kryemadhit zgjedhjet janë i vetmi instrument që i jep fund situatës politike edhe ngërçit që ka kapluar vendin.

“E vetmja mënyrë për më mbyllur këtë debat shterpë njëherë e mirë janë zgjedhjet, sepse njerëzit do të kenë mundësi për t’u shprehur. Ne duhet të mendojmë tani se si do të zgjidhim situatën politike, po vazhduam kështu, Shqipëria rrezikon të përfundojë  në kolaps politik. Këtu nuk paguan qeveria, por janë shqiptarët që do të paguajnë. Vijmë në zgjedhjet e 30 qershorit kur opozita tha se nuk merrte pjesë në zgjedhje. Pati një oksigjen që gazetarët e quajtën si një oksigjen që Presidenti ia dha opozitës, por në fakt ia dha z. Rama. I vetmi njeri që përfitonte nga shtyrja e zgjedhjeve ishte ai, sepse nëse zgjedhjet do të ishin më 13 tetor, Bindja Demokratike do të kishte kryer të gjithë afatin për të marrë pjesë në procesin zgjedhor në ligjshëm. Z. Rama do të kishte të gjithë komunitetin ndërkombëtar kundër mospjesëmarrjes së opozitës në proces zgjedhor dhe këtu do të dilte që nuk ishte ai kundër dialogut, kundër zgjidhjes së një konflikti, por do të dilte opozita. Kjo argumentoi edhe njëherë që opozita me qëndrimet e saj ekstreme që ne i morëm parasysh,” është shprehur Kryemadhi.

Por, gjatë një emisioni televiziv, Kryemadhi është përplasur me analistin Fatos Lubonja. Ky i fundit ka folur për shkollimin e fëmijëve të Kryemadhit në Londër, duke thënë se klasa politike me këtë logjikë ka ecur, që “t’i çojmë fëmijët jashtë dhe këta të rrinë këtu”.

Pas deklaratës së analistit ka reaguar Kryemadhi duke thënë se është e gabuar fakti që i fusim të gjithë në një kazan. Kryetarja e LSI i është drejtuar analistit duke i thënë se siç ka ndërtuar ai pallatin e tij dhe ajo ka ndërtuar pallatin e saj.

Pjesë nga debati:

Lubonja: Logjika që na çoi këtu ishte që “ne t’i çojmë fëmijët jashtë dhe këta të rrinë këtu”.

Kryemadhi: Fakti që i fusim të gjithë në një kazan, normal që njerëzit nuk dinë të dallojnë pastaj. Partitë politike kanë faj, edhe krerët e partive, edhe mediet, të gjithë kanë faj. Njerëzit duhet të dinë sa para janë shpenzuar nga ky vit, në këtë vit. Nuk ndjehem keq pse vajza ime shkollohet për matematikë në Londër, se kush do ma shkollonte këtu.

Lubonja: Po ç’lidhje ka kjo tani. Pse bën këtë lëmsh, po flasim për gjithë klasën politike.

Kryemadhi: Unë e kam shansin për fëmijën tim, një tjetër nuk e ka shansin. Siç ke ndërtuar ti pallatin te vila jote, kam ndërtuar edhe unë pallatin te shtëpia ime, me lejen e Edi Ramës dhe me lejen e Lulzim Bashës.

Lubonja: Edhe unë nëse kam ndërtuar pallat, gabim.

Kryemadhi: Po jo pse kemi bërë gabim ne, pse kemi zhvilluar pronën tonë? Jo Lubonja e ke gabim, ne kemi zhvilluar pronën. Unë e kisha mundësinë që ma dhanë prindërit atë mundësi, për fat të mirë të babait tim, kam një pallat, 16 mijë metra katrorë, në të cilën shkolloj fëmijët e mij.

Lubonja: Atëherë mos u anko me Edi Ramën fare…

Kryemadhi: Jo, Edi Rama ma dha lejen mua…Makineria e propagandës është shumë e madhe, sa të mbyt. Unë nuk jam si Edi Rama, kam kontribuuar më shumë se ai, se kam qenë e sulmuar si bashkëshortja e Ilir Metës. Ndërsa Edi Rama ka kaq shumë vite në pushtet dhe askush nuk flet për koncesionet e tij.

Lubonja: Po pse tani u bënë ato, po kur ishe ti në pushtet.

Kryemadhi: Nga 2013-2015 qeverisja ka funksionuar në mënyrë perfekte.


TË NGJASHME