HomeSport

Kualifikueset “Euro 2020″/ Në Francë për surprizën e madhe, ndaj Islandës fitore e detyrueshme

6 pikë pas 4 ndeshjesh dhe vendi i 4-ët në klasifikim, ky është bilanci i Shqipërisë deri më tani në kualifikueset e “Euro 2020”. Mbase nuk është ky maksimumi i mundshëm që Shqipëria mund të merrte në kualifikueset “Euro2020” por është një ecuri e cila mban ende gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm. Ardhmja e Edi Rejas në stolin kuqezi mban dhe më shumë ndezur këtë shpresë por dy ndeshjet e radhës pritet ti japin më shumë formë këtij objektivi.

Më 7 shtator, Shqipëria udhëton në Francë për tu përballur me kampionët e botës, një transfertë ku vetëm një mrekulli mund të bëjë që të dalim me pikë. Për vetë situatën ku ndodhet ekipi i Deschamps, me 9 pikë në krye të klasifikimi, po aq sa edhe Turqia e Islanda, e bën për Francën këtë sfidë një ndeshje që duhet fituar me çdo kusht. Me statusin e ekipit surprizë, Shqipëria nuk ka çfarë humbet nga kjo transfertë por llogaritë ndryshojnë shumë pas 3 ditësh. Më 10 shtator ekipi kuqezi pret Islandën në “Elbasan Arena”, një ndeshje që për Shqipërinë është jetike. Nëse dëshirojmë të vazhdojmë të shpresojmë për një kualifikim të mundshëm në “Euro 2020”, ndaj ishullorëve është një sfidë që vlen vetëm 3 pikët.

As kalendari nuk është në favor të Shqipërisë pasi në dy sfidat e radhës, Turqia, e dyta në grupin H, luan kundër Andorrës dhe Moldavisë. Po ashtu edhe Islanda pret Moldavinë dhe luan më pas më Shqipërinë në transfertë. Në këto kushte për Shqipërinë, ndaj Islandës është një ndeshje ku luajmë gjithçka për gjithçka.


TË NGJASHME