HomeLajmi i Fundit

Kujt do t’i shtyhet kredia me 3 muaj?! Përgjigjet Sejko

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko i ftuar në News24 ka thënë se shtyrja e kredive nuk do të jetë për administratën shtetërore, mjekët apo për mësuesit.

Sejko sqaroi se ka një kategorizim të personave që i shtyhet kredia, dhe është vetëm për ata që hasin vështirësi financiare dhe i kap kriza e koronavirusit.

Guvernatori bëri me dije se brenda 3 ditësh banka i kthen aplikuesit të shtyrjes së kredisë përgjigjen nëse ai është apo jo tek kategoria e personave që i shtyhet afati i kredisë.

”Mësuesit dhe mjekët i marrin pagat në mënyrë automatike dhe i tërheqin nga ATM-të nëpërmjet kartës së kreditit. Problemi është tek pjesa e kredisë. Një pjesë e administratës publike ka kredi. Edhe ata që punojnë në privat. Të gjithë punonjësit kanë një trajtim të ngjashëm bankat aplikojnë kredi, kredi konsumatore dhe kredi për banesa.

Kreditë konsumatore kanë këstet e tyre, dhe për banesat kanë këstet e tyre. Mund të kenë probleme financiare por jo thelbësore nga kjo. Nuk janë të ekspozuar dhe të riskuar pasi përderisa i jepet rroga dhe ata do e paguajnë. Mjekët dhe mësuesit do e paguajnë kreditë. Nuk ndryshon asgjë financiarisht tek ata.

Një pjesë e tyre e mirë duan ta paguajnë. Të tjerë kanë probleme financiare. Rastet ndryshojnë. Po të hyjmë në analizë mund të kemi aq shumë kategori rastesh sa nuk do I sqaronim dot.

Do theksoja që vendimi i marrë nga Këshilli Mbikqyrës ka të bëjë vetëm me ata klientë të prekur nga kriza e koronavirusit dhe ata do të duhet të kontaktojnë bankat. E theksova që ditën e parë që duhet njoftuar banka, klientët ishin të paqartë, kishin ankesa. Dhe për të ndarë klientët që i shtyhet afati atëhere Banka i kthen përgjigje brenda 3 ditësh nëse ky është një klient që përfshihet në këto kategori apo jo. Duhet të kontaktosh bankën, nuk është një urdhër automatik që të gjithë klientët, individë, biznese i shtyhet kredia. Ne bëmë llogaritje. Ne i kemi krijuar mundësinë bankave që të mundësojnë shtyrjen.”- tha Sejko.

Sejko gjithashtu theksoi se ekonomia shqiptare rrezikon të bjerë në recension për një periudhë tremujore, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

“Me skenarin që kemi deri tani rrezikojmë recesion deri në 3 muaj, por jo për gjithë vitin”, tha Guvernatori Sejko.
Më tej, Sejko foli për masën urgjente të shtyrjes me tre muaj të kësteve të kredisë, duke thënë se edhe Banka e Shqipërisë po bën gjithçka për të parandaluar përhapjen e shpejtë të koronavirusit.

“Masa u mor në rast urgjent. Ne nuk e dimë kohëzgjatjen e kësaj situate. Po përpiqemi të marrim të gjitha masat parandaluese ne si Bankë Qendrore. Stabiliteti financiar është shumë i rëndësishëm. Bankat depozitat i japin me kreditë e qytetarëve. Pjesa dërrmuese e depozitave janë kreditë. Nuk është puna për të bërë avokatin e bankave, por duhet trajtuar me shumë kujdes”, tha Sejko.

A janë të sigurta depozitat që kemi në bankat e nivelit të dytë?
Sejko: Ka një siguri optimale, shumë të mirë, për investimet e bankave. Bursat kanë normale të larta fitimi dhe shkallë të larta risku. Ka siguri të mjadftueshme për depozitat. Nuk jemi në situatë për të diskutuar shqetësimet financiare, pasi bankat kanë gjendje të mirë likuiditeti. Por kjo nuk do të thotë që kur jemi në situatë krize t’i rëndojmë bankat që në momentin e parë, që pastaj bankat të përballen me krizë. Është shumë e thjeshtë për të marrë vendime, për të shtyrë të gjitha kreditë, taksat, është vendim shumë i kollajshëm, por është shumë e vështirë për të marrë një vendimmarrje të kujdesshme.

Masat që do marrim ditët në vijim kanë të bëjnë me stabilitetin e cmimeve dhe stabilitetin financiar. Ne akoma nuk i kemi përfunduar analizat tona për vijimësinë. Jemi duke parashikuar skenarë të ndryshëm të ndikimit në ekonomi të koronavirusit. Për normën e interesit dhe për lehtësi të tjera do të vendosim ditët në vijim. Ulja e normave të interesit bëhet për të stimuluar më shumë kredimarrjen.