HomeSport

Kukësi në kërkim të një sulmuesi, ofron 100 mijë euro për Llukakun

Largimi i Reginaldo, ka bërë që Kukësi të hidhet në sulm për të gjetur sa më shpejt zëvendësuesin e golashënuesit më të mirë të sezonit. Azdren Llukaku është objektivi kryesor i klubit verior.

Vetëm dy ditë më parë, u zbulua edhe interesimi i Kukësit për sulmuesin e Kombëtares Shqiptare, i cili pas prishjes së kontratës me Astra Giurgiu, është i lirë në treg.

Përveç Kukësit, në garë për të siguruar shërbimet e Llukakut është edhe Partizani. Sulmuesi nuk dëshiron të nxitohet dhe po vlerëson të gjitha ofertat që vijnë në drejtim të tij. Për Partizanin, Llukaku u shpreh: “Është një ekip shumë i mirë. Normalisht që dëshira të luaj në Champions është e madhe”. Megjithatë, Llukaku, nuk mohoi as zërat për interesimin e Kukësit.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për ekipin kampion, Partizanin, por edhe për Kukësin. Natyrisht, gjithçka do të varet nga ofertat financiare dhe kushtet e tjera, por kemi ende kohë për të vendosur”, u shpreh sulmuesi. Presidenti Safet Gjici, do të bëjë një sakrificë financiare dhe mësohet se i ka ofruar plot 100 mijë euro pa bonuse sulmuesit Llukaku.

Nuk dihet nëse oferta e Kukësit është më e lartë se e Partizanit, por gjithsesi tashmë gjithçka mbetet në dorë të vetë lojtarit për të zgjedhur. Duke qenë një prej sulmuesve të afirmuar në Rumani në gjashtë sezonet e fundit, ofertat për kosovarin nuk mungojnë edhe nga vende të tjera. Megjithatë, te Kukësi besojnë se do të zgjedhë ata përpara Partizanit, paçka se Llullaku ka thënë se e josh Champions.


TË NGJASHME