HomePolitikë

Kurti paralajmëron skanim të marrëveshjve me Serbinë

Tridhjetë e tri marrëveshje të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të rishikohen. Një gjë të tillë e kanë kërkuar Lëvizja Vetëvendosje, e cila pritet që të udhëheq me ekzekutivin.

Kreu i kësaj partie, Albin Kurti, ka thënë se fillimisht do të shohin se cilat marrëveshje janë zbatuar dhe çfarë ka ndikuar në jetën e qytetarëve.

“Së pari duhet ta shohim se çfarë është zbatuar, çfarë jo dhe duhet ta shohim se cila ishte përmasa e ndikimit të atyre marrëveshjeve në jetën e qytetarëve, t’i nxjerrim mësimet e duhura sesi të ecim sigurt përpara”, ka thënë Kurti për ekonominaonline.

Kurti thotë se muajt e parë të qeverisjes do të merren me këtë çështje duke mos neglizhuar mësimet pozitive dhe negative të këtij procesi të rëndësishëm për vendin.

“Ky është synimi ynë që në muajin e parë në zyrën e Kryeministrisë, e në qeverinë tonë të përbashkët, të dimë si të ecim siç duhet pikërisht duke mos neglizhuar mësimet, qofshin pozitive apo negative nga e kaluara”, ka thënë Kurti.

Se Kosova duhet të rishikojë disa marrëveshje e thotë edhe analisti Armend Muja. Madje, Muja jep edhe rekomandimet se cilat marrëveshje duhet të rishikohen.

“Marrëveshja për përfaqësim rajonal. Ajo marrëveshje duhet të rishikohet në tërësi, sepse është e dëmshme për Kosovën, e cenon subjektivitetin ndërkombëtarë të Kosovës”.

“Unë mendoj se ajo është abuzuar në forma të ndryshme nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, për të treguar sidomos vendeve të tjera që ‘ja shikoje Kosova e pranon se ende është në proces të rishqyrtimit të statusit të saj’”.

“Edhe çdo dialogim në Bruksel në kuadër të asaj që u janë referuar përfaqësimit rajonal të Kosovës, është interpretuar nga serbët se Kosova është e gatshme që ta hap kutinë për rinegocim të statusit përfundimtarë”, ka thënë Muja.

Muja ka përmendur edhe disa nga marrëveshjet që nuk janë zbatuar nga asnjëra palë.

“Marrëveshja për Energjinë që është esenciale nuk është zbatuar, marrëveshja për rivitalizimin e urës së Ibrit dhe lirinë e lëvizjes përtej urës, marrëveshja për njohjen e diplomave dhe kemi edhe disa të tjera që nuk janë zbatuar”, ka thënë Muja.

Dialogu teknik Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011, ku të dyja palët kanë arritur 33 marrëveshje për të cilat vazhdimisht ka pasur kritika se nuk janë zbatuar nga pala serbe.


TË NGJASHME