HomePolitikë

Kurti: Prekja e territoreve mund të nxisë më shumë konflikte

albin_kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë një intervistë për Euronews World, ku ka folur për heqjen e taksës 100% për mallrat nga Serbia, planin për negociatat me Serbinë, apo edhe çështjen e shkëmbimit të territoreve.

“Kosova nuk mund të përfshihet kurrsesi në të ashtuquajturin shkëmbim territoresh. Të gjitha projektet e ngjashme në të kaluarën kanë dështuar dhe do të dështojnë në të ardhmen po ashtu veçanërisht tani që në pushtet jemi ne. Shkëmbimet territoriale janë receta për të nxitur më shumë konflikte jo për paqe të cilën ne kemi nevojë”, theksoi Kurti.

Ai, po ashtu tha se pret një angazhim të shtuar të përfaqësuesit të BE-së për Politikën e Jashtme, Joseph Borrell, në zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor.

“Për hir të zgjidhjes evropiane, mbase ai duhet t’i japë një perspektivë të re problemeve të Ballkanit Perëndimor. Kushdo që mohon këtë realitet ose mundohet të sjellë ndonjë lloj zgjidhje pa njohjen e këtij shteti dhe vullnetit të njerëzve këtu nuk do përfitojë asgjë më shumë përveçse të dëmtojë vetveten”, është shprehur Kryeministri i Kosovës.

Kurti është shprehur për dialog, dhe ka kërkuar njohjen e Republikës së Kosovës. “Unë mendoj që Serbia duhet të përballet me të shkuarën e saj, me të gjitha gabimet dhe krimet gjatë luftës. Lidhur me Serbinë, ne duam barazi. Ne duam reciprocitet. Kushtet janë pjekur për t’u angazhuar në një dialog të ri për të dy palët, në regjistrin e vlerave për të ardhmen dhe regjistrin e fakteve nga e shkuara”, tha Kurti.

Lidhur me heqjen e taksës 100% për mallrat serbe, pa kushte Kurti tha: “Ka një sërë barrierash jo tarifore që Serbia ushtron ndaj eksporteve të Kosovës. Ne nuk e duam reciprocitetin si një masë shpaguese, por e kërkojmë reciprocitetin si një parim i marrëdhënieve bilaterale  konstruktive dhe të shëndetshme.  Njerëzit votojnë për reciprocitet dhe ne nuk mundemi, që thjesht të heqim tarifën 100%”.


TË NGJASHME