HomeSociale

Kush i mbron interesat e punëtorëve?!

Numri i punëtorëve që vdesin në vendin e punës sa vjen dhe rritet ndërkohë që në të gjithë këtë trazirë politike e shoqërore sindikatat shqiptare nuk duken gjëkundi.

Së fundmi, një punëtor humbi jetën në turbinat e një hidrocentrali privat në Tropojë. Një tjetër u helmua në minerat e Bulqizës, ndërsa pak javë më parë një naftëtar në Kuçovë u rrëzua nga një lartësi gjatë kohës që po punonte. Ai ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Ndërkohë sindikatat nuk duken në asnjë moment…

“Sindikatat tek ne pothuajse nuk ekzistojnë”, tha Arben Andoni.

“Pothuajse çdo muaj ne kemi lajme që thonë se vdiq minatori në këtë minierë apo atë minierë. Askush nuk mban përgjegjësi. Shteti është bashkë me ata që i helmojnë puntorët. Është bashkë me ata që iu shfrytëzojnë puntorët. Shteti është i njëanshëm”, tha Arlind Qorri.

“Janë shëndërruar ashtu siç ishin bashkimet profesionale në kohën e diktaturës. Ngrihen vetëm me urdhërin ose shkopin e dirigjentit. Këto situatat e tanishme e tregojnë qartë. Ku janë sindikatat?”

Pyetja e zotit Shima qëndron pezull prej vitesh në opinionin publik dhe nuk merr kurrë përgjigje. Ku janë sindikatat sot, pyesim edhe ne.

Kjo video është e vitit 2018. Fiqeri Xibri është kryetar i Sindikatës së Minatorëve, ndërsa Kol Nikolla është Kryetar i Konfederatës së Sindikatave Shqiptare.

Këta dy njerëz supozohet që të mbrojnë të drejtat e punëtorëve. Por ata janë të zënë duke u përleshur mes tyre. Ja pra ku janë sindikatat shqiptare sot!


TË NGJASHME