HomeShowbiz

Kush janë shqiptarët e famshëm që kanë qenë në Sanremo ndër vite?

Në festivalin më të rëndësishëm të muzikës italiane, që shënon dekada vite ekzistencë, janë ngjitur dhe kanë performuar emra të ndryshëm artistësh, mes tyre edhe shqiptarë. Sigurisht, ata kanë lënë gjurmën e tyre të protagonizmit, duke bërë jehonë në mediat italiane dhe botërore.

Disa syresh prej tyre, kanë vijuar karrierat respektive në shtetin fqinj, por duke e kthyer kokën pas dhe duke mos e harruar origjinën shqiptare.

Nga Ana Oxa tek Ermal Meta, e së fundmi edhe Alketa Vejsiu që do të jetë në rolin e moderatores së natës së tretë të këtij edicioni të 70-të të “Sanremo”-s, lista e shqiptarëve të famshëm që kanë marrë nga shkëlqimi i këtij kompeticioni artistik është kjo!

Le t’i zbulojmë bashkë! 

1

Anna Oxa
Ajo është një nga artistet që ka marrë pjesë më shumë se çdo këngëtar tjetër shqiptar në skenën e madhe të “Sanremo”-s! Plot 14 herë, Anna Oxa ka pushtuar me interpretimin dhe vokalin e saj këtë kompeticion të rëndësishëm muzikor. Për herë të parë ajo u ngjit në skenë në vitin 1978, ndërsa çmimin e parë e ka fituar në vitin 1989 me “Ti lascero”! Përvoja e saj e fundit në “Sanremo” ishte në vitin 2006 me interpretimin e hitit “Procesioni a me stessa”.

2

Enxhi Nini
Violinistja simpatike që në fillimet e karrierës së saj artistike ka debutuar edhe si këngëtare në Festivalet e Këngës që organizoheshin në vend gjatë sistemit të diktaturës. Më vonë, Enxhi Nini u zhvendos për të jetuar në Itali. Ajo mori pjesë në Orkestrën e Sanremo-s në vitin 2014-të si violiniste.

3

Ermal Meta
Këngëtari shqiptar, që jeton prej vitesh në Itali dhe e ka të pozicionuar karrierën si artist atje, kulmoi me suksesin e tij në skenën e “Sanremo”-s përpara dy fitesh duke triumfuar si fitues! Me Fabrizio Moron dhe këngën “Non mi avete fatto niente”, Ermal Meta fitoi çmimin e parë në “Sanremo”-n e vitit 2018-të duke përfaqësuar Italinë në “Eurosong”! Në këtë të fundit, ai u rendit në vendin e pestë!

4

Elsa Lila
Kush nuk e kujton Elsa Lilën? Artisten shqiptare, që ka “pushtuar” skenat italiane me vokalin e saj. Diskrete në daljet mediatike dhe intervistat në studio televizive, Elsa Lila ka ditur gjithherët të flasë me gjuhën që ajo njeh më mirë: muzikën! Në vitin 2003, ajo debutoi në “Sanremo” me hitin “Valeria” dhe u rendit në vendin e tetë në kategorinë e Aristëve të Rinj. Shija e suksesit duke se e motivoi dhe e shtyu drejt një tjetër protagonizmi katër vite më pas. Elsa mori pjesë sërish në “Sanremo” me këngën “Il senso della vita” dhe fitoi sërish vendin e tetë në kategorinë e Artistëve të Rinj.

5

Olen Çezari
Violinisti me famë botërore, që “drithëron” skenat me performancat e tij artistike, e ka shijuar edhe magjinë e “Sanremo”-s përpara 20 viteve. Për të shoqëruar Lucio Dalla-n, i cili performoi këngën “4 Marzo 1943”, violinisti shqiptar ishte aty për të prekur nga afër madhështinë e kësaj skene.

6

Alketa Vejsiu
Vetëm pak ditë na ndajnë nga ngjarja e madhe e edicionit të 70-të të “Sanremo”-s dhe prezantuesja shqiptare Alketa Vejsiu do jetë pjesë e magjisë së kësaj skene pikërisht në natën e tretë. Si e ftuar speciale nga Shqipëria, në mesin e 10 grave të famshme që do të jenë në krahë të Amadeus, ajo do të prezantojë “Sanremo”-n në krahë të Georgina Rodriguez, partneres së Cristiano Ronaldos.


TË NGJASHME