HomeLajme

Kush janë terroristët e celulës që u zbulua në Shqipëri?

Shpallen në kërkim ndërkombëtar katër anëtarët e identifikuar të celulës aktive terroriste e njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS iraniane e cila është zbuluar së fundmi nga Institucionet Shqiptare të Sigurisë.

Celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta.

Celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si PEYMAN. PEYMAN është rezident i përhershëm në Iran dhe menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Mes të tjerash, ai inicioi dhe zbatoi tentativën e fundit për sulm në muajin mars 2018. PEYMAN menaxhon shumë operativë, disa për grumbullim informacioni dhe të tjerë për të kryer sulme terroriste.

Një nga këta operativë është Alireza NAGHASHZADEH, një iranian i cili është vetë një ish-anëtar i MEK-ut dhe zotëron një pasaportë austriake. Naghashzadeh u dërgua nga PEYMAN-i për të grumbulluar informacion në Shqipëri gjatë disa vizitave të veçuara, si pjesë e planeve për një sulm që eventualisht u ndalua.

Një tjetër operativ, është Abdolkhalegh MALEK ZADEH, një iranian që jeton në Turqi dhe që ka drejtuar celulën operacionale. MALEK ZADEH (i njohur gjithashtu nga lidhjet kriminale me pseudonimin “Ferhat”) ka vazhduar të punojë gjatë dy viteve të fundit me Abdulselam TURGUT, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të PEYMAN-it dhe të Forcave QUDS. TURGUT, i njohur si një bos mafioz turk dhe kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës është burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge. TURGUT ka gjithashtu lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri. TURGUT është liruar nga një burg në Turqi në fund të vitit 2018. Në vitin 2011, TURGUT është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.


TË NGJASHME