HomeSociale

Kushtet për përfitimin e pensionit social

Për të garantuar vijueshmërinë e përfitimitpensionit social duhet të plotësohen një sërë kushtesh. Konkretisht, në ligjin e sigurimeve shoqërore përcaktohet se përfituesi i pensionit social duhet detyrimisht që të paraqesë një herë në vit deklaratën për gjendjen socialekonomike. Mosrespektimi i këtij kushti çon në ndërprerje të pensionit.

Të dhënat e deklaratës duhet të jenë të sakta. Kjo pensioni social mbyllet në rastet kur konstatohet se ka të dhëna jo të vërteta, lidhur me kushtet ligjore të përfitimit (moshës, nivelit të të ardhurave, apo kryerjes së aktiviteteve të caktuara ekonomike). Krahas paraqitjes së përvitshme të deklaratës, përfituesi duhet të jetë i kujdesshëm në tërheqjen e pensionit social çdo muaj.

Autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se pagesa e pensionit social ndërpritet në rast se nuk tërhiqet në qendrat e përcaktuara të pagesë. Përfituesi nuk rrezikon marrjen e pensionit social edhe në rastet kur është për kurim në spital.

“Pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social”, përcaktohet në ligjin e sigurimeve shoqërore. Lidhur me masën e këtij përfitimi, bëhet me dije se: “masa e pensionit social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014”.

Ndërsa masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi. Pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar paguhen në Postën Shqiptare ose në bankat e nivelit të dytë, me të cilat Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka lidhur marrëveshjen përkatëse.

Për rastet kur e drejta për përfitimin e pensionit apo përfitimeve të tjera fillon më vonë se data 1 e muajit, shuma e përfitimeve llogaritet dhe autorizohet për pagesë vetëm për ditët e tjera që mbeten nga data e caktuar deri në fund të muajit, p.sh. kur e drejta e pensionit fillon më datë 13 të muajit, atëherë pensioni llogaritet dhe paguhet për 18 ditë të muajit të parë, ndërsa për muajt e tjerë pensioni paguhet i plotë.

Për efekt llogaritjeje, shuma e përfitimit mujor pjesëtohet me 30 ditë dhe shumëzohet me numrin e ditëve që duhet të paguhet. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar edhe dosjen e dokumenteve që duhet të shoqërojnë kërkesën për përfitimin e pensionit social.

Kushtet e përfitimit:

  • Mosha 70 vjeç.
  • Qëndrimi i përhershëm në Shqipëri, të paktën për 5 vitet e fundit.
  • Nuk plotësohen kushtet për asnjë pension nga skema e detyrueshme.
  • Nuk ka të ardhura ose janë më të pakta se një pension social.

Kujdes!

  • Përfituesi duhet të paraqesë një herë në vit deklaratën për gjendjen social-ekonomike.
  • Pensioni social tërhiqet nga përfituesi çdo muaj.
  • Pagesa e pensionit social ndërpritet në rast se nuk tërhiqet, në qendrat e përcaktuara të pagesës.
  • Pensioni social mbyllet kur konstatohet se ka të dhëna jo të vërteta, lidhur me kushtet ligjore të përfitimit.
  • Pensioni social nuk ndërpritet në rastet kur përfituesi është për kurim në spital.

Dokumentacioni që duhet të dorëzohet për përfitim

  • Fotokopje e Kartës së identitetit.
  • Certifikatë familjare.
  • Deklaratë për gjendjen social-ekonomike.
  • Vërtetim nga zyra e gjendjes civile, që është banor në Shqipëri për të paktën 5 vite, nga koha që paraqet kërkesën.
  • Vërtetim nga organet tatimore, nëse ushtron ose jo veprimtari ekonomike.
  • Certifikatë pronësie dhe/ose akti i marrjes në pronësi/në përdorim të tokës.
  • Vërtetim për ndihmën ekonomike.
  • Deklaratë nëse je aksionar apo bashkëpronar në aktivitete ekonomike/ pasuri të patundshme, që nxjerr të ardhura.

TË NGJASHME