HomePolitikë

Kuvendi “mban peng” opozitën, Rama bllok mediatik

Kuvendi i Shqipërisë ndonëse ka formularët zyrtarë të 56 deputetëveopozitës që heqin dorë nga mandati ende nuk ka paraqitur në KQZ vendet vakante siç e kërkon procedura. Kjo situatë mund të shtyjë në kohë “zyrtarizmin” e djegies së mandateve të opozitës. PD: U faktua vjedhja e votave. Kryeministri Rama udhëzon të tijtë që të mos përballen mediatikisht me asnjë personazh të opozitës.

Kuvendi i Shqipërisë nuk shpall vakancat për vendet bosh të deputetëve të opozitës pas heqjes dorë në bllok të tyre. Ndonëse e ka njoftuar KQZ-në për dorëheqjet nga mandati për 56 deputetët e opozitës, bashkëlidhur nuk ka dërguar dokumentacionin që shpall vakancën. Praktika e ndjekur më parë saktëson se krahas heqjes dorë paraqitet vakanca (vendi bosh) dhe më pas procedohet me emrat vijues. Në precedentët e dorëheqjeve të deputetëve, shkresa e Kuvendit drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përmbante 3 elemente: Njoftimin se deputeti ka hequr dorë nga mandati; shpalljen e përfundimit të mandatit të deputetit të dorëhequr; njoftimin e krijimit të vakancës dhe kërkesën për zëvendësimin e deputetit. Fakti që nuk ka mbërritur dokumentacioni i plotë mund të kërkojë të tjera procedura më të zgjatura dhe Parlamenti në “letra” do të figurojë edhe me deputetët e opozitës. Për aq kohë sa nuk ka një vendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ata figurojnë deputetë. Nuk dihet nëse kjo është një taktikë e Kuvendit për të shtyrë në kohë djegien e mandateve, duke luajtur me procedurat. Neni 164 Pika 1 e Kodit Zgjedhor nënvizon shprehimisht se është pikërisht Kuvendi që duhet të njoftojë KQZ-në për krijimin e vakancës. Tashmë mbetet në dorë të anëtarëve të KQZ-së për interpretim zyrtar. Kjo mbetet një procedurë më shumë pasi zyrtarisht opozita është me mandate të djegura, me përjashtim të tre deputetëve dy të PD-së dhe një nga LSI. Pjesa tjetër e gjitha në bllok i është bashkuar vendimit ekstrem politik për të djegur mandatet. Më 21 shkurt në mënyrë demonstrative dhe në sytë e mijëra mbështetësve, opozita u paraqit në zyrat e Kuvendit dhe dorëzoi mandatin e deputetëve. Me atë gjest e konsideroi çështje të mbyllur raportin me Parlamentin, duke e konsideruar Parlament të krimit. Opozita kërkon largimin e Edi Ramës si kryeministër, krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kaosi, Rama sugjeron të tijtë të mos dalin në Tv

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të shmangë ballafaqimin me opozitën edhe në studiot televizive, pas vendimit për djegien e mandateve parlamentare. Burime për Mapo thanë se kreu i qeverisë u ka kërkuar ministrave dhe deputetëve të tij të mos dalin në asnjë debat televiziv me deputetët e opozitës, të cilët tashmë kanë hequr dorë nga mandatet. Mirëpo pas kësaj lëvizje të PD dhe LSI, edhe mazhoranca ka ndryshuar strategji sa i takon komunikimit, duke zgjedhur ta mbajë larg përballjen me elementët opozitarë. “Ata s’janë më pala tjetër e parlamentit, po një grusht politikanësh pa norma, që meritojnë përbuzjen e votuesve të tyre dhe refuzimin tonë për të debatuar me ta jashtë parlamentit”, mësohet të ketë thënë Rama gjatë një mbledhjeje me bashkëpunëtorët më të ngushtë. “Për sharjet e shpifjet e tyre ata s’kanë nevojë për ne dhe kështu kontribuojmë kundër ndotjes së mjedisit publik, me debate shterpë pa asnjë vlerë”, ka argumentuar kryesocialisti në porosinë drejtuar deputetëve dhe ministrave. Porosia është e qartë, në mënyrë kategorike dhe pa asnjë përjashtim, në studiot televizive ku do jenë përfaqësuesit e opozitës, nuk do shohim ministra apo deputetë të PS. Strategjia e Ramës duket se është “izolimi” i opozitës edhe në aspektin mediatik. Ndonëse këtë pjesë e ka të pamundur që ta kontrollojë, u ka sugjeruar të tijve që të mos marrin pjesë në përballje dhe debate me personazhe të opozitës.

PD: U faktua blerja e votave…

Partia Demokratike ka këmbëngulur edhe një herë se blerja masive e votave në vitin 2017 po faktohet çdo ditë edhe nga mediat ndërkombëtare. Me anë të zëdhënëses, Ina Zhupa, kampi më i madh opozitar reagoi dje për investigimet e kryera nga mediat e huaja, të cilat kanë treguar format dhe mënyrat se si janë blerë votat në Shqipëri nga grupe kriminale. “Përgjimet italiane dhe përgjimet shqiptare dhe prova zyrtare në prokurori tregojnë qartë se si janë blerë votat në Shqipëri me grupet kriminale dhe pushtetarët të lidhur me ta. Zëri i Amerikës na bëri publike provat e Dakos, Italianët provat e Tahirit. Zv.ambasadori i OSBE e pranon publikisht shitblerjen e votës”, -tha Zhupa. Sipas saj, vetëm ish-ministri Saimir Tahiri dhe Vangjush Dako që drejtonin fushatën elektorale të PS-së në Tiranë dhe Durrës kanë siguruar 26 deputetë. “Në cilen vend demokratik do pranohej standardi i vjedhjes se votës se faktuar dhe parlamenti dhe qeveria të vazhdonin punën pa legjitimitet? Në cilen vend demokratik dosjet do rrinin stok pa hetuar dhe nuk do denohej asnjë eksponent me pushtet? Parlamenti i votës së blerë ka rënë, aty është krimokracia- pushteti i krimineleve. Të gjithë bashkë për të kthyer demokracinë- pushtetin e popullit”, shkruan Zhupa. Ndonëse dita e djeshme ka qenë më e qetë në deklarata, sërish tema për djegien e mandateve nuk ka lënë pa përfshirë as personazhe të ndërkombëtarëve ku deklarata e paprecedent ka ardhur nga zëvendësambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton. Ai e ka pranuar çështjen e vjedhjes së votave, por sipas tij nuk ka ndikuar në rezultatin final të zgjedhjeve të vitit 2017. Edhe pse drejton institucionin që monitoron drejtpërdrejt procesin zgjedhor, numri dy i OSBE-së ka deklaruar se blerja e votave nuk ndikoi në rezultat, ndërkohë faktet tregojnë se në disa zona mandatet i kanë kaluar PS-së, me fare pak vota. Kjo deklaratë ka sjellë reagime nga disa “ish-deputetë”, ku më pikanti është i përfaqësuesit të LSI-së Përparim Spahiu, që e ka konsideruar Wilton si mbështetës të qeverisë, e madje janë të “kënaqur” nëse kapin ndonjë gotë verë nga përfaqësues të mazhorancës./mapo


TË NGJASHME