HomePolitikë

Kuvendi, seancë plenare sot në orën 17:00. Paloka: Mbledhje në ilegalitet

Ndërkohë që opozita njofton planet për protesta të përjavshme, me ditën e caktuar çdo të enjte kur edhe zhvillohen seancat plenareKuvenditShqipërisë, pikërisht për të protestuar përpara legjislativit deri – siç pretendojnë, – në rrëzimin e qeverisëkryeministrit Edi Rama, duket se drejtuesit e Kuvendit zgjedhin të zhvendosin ditën e mbajtjes së seancës.

Kështu, Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare në legjislativin shqiptar ka vendosur në mbledhjen e sotme që në orën 17:00 të zhvillojë një seancë plenare,  për të zëvendësuar atë të javës së kaluar, që u anulua për shkak të protestës së paralajmëruar të opozitës, për të cilën pati informacione se do të ishte e dhunshme, por që rezultoi paqësore, por me një akt ekstrem të opozitës, atë të dorëzimit të mandateve parlamentare të disa prej deputetëve të saj.

Në këtë seancë pritet të votohet për miratimin e strukturave organizative të KLGJ-së dhe KLP-së, që ishin njoftuar për të enjten.

Menjëherë pas njoftimit për mbledhjen e seancës plenare ka reaguar kryetari i grupit të dorëhequr parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili përmes rrjeteve sociale e ka quajtur mbledhje në ilegalitet të një Kuvendi ilegal.

“Pasi e rrethuan me tela me gjemba dhe salduan dyert hyrëse, tani kanë filluar ta mbledhin dhe në ilegalitet. Seancën e së enjtes po kërkojnë ta mbledhin fshehtas sot në orën 17:00. Sa mendoni se do zgjasni kështu?! Tik-tak…”, shkruan Paloka.


TË NGJASHME