HomeSport

Ky është formacioni për ndeshjen e sotme Shqipëri-Lituani (FOTO)

Ekipi fitues nuk ndryshon, por në situatën ku ndodhet Shqipëria e ka të pashmangshme të bëjë rrotacion në formacionin titullar kundër Lituanisë. Mungesat, lojtarët e dëmtuar dhe forma jo optimale e disa elementeve, të cilat ende nuk kanë nisur aktivitetin, bënë që trajneri Reja të paralajmërojë disa ndryshime.

Skema mbetet e njëjta, me rreshtimin 3-5-2. Përpara portierit Strakosha pritet të rreshtohen sërish Gjimshiti, Dermaku dhe Veseli, me këtë të fundit që rrezikohet nga talenti i Interit, Çepele. 17-vjeçari shpreson të debutojë me Kombëtaren, ashtu si Qazim Laçi, i cili mund të zëvendësojë Abrashin.

Në mesfushë Roshi pritet ta nisë titullar në krahun e djathtë, me Hysajn që do të spostohet majtas, ndërsa Gjasula e Bare pritet ta nisin nga minuta e parë. Edhe në sulm projektohen ndryshime. Cikalleshi, autori i golit të parë në Bjellorusi ka një problem shëndetësor dhe për mos ta rrezikuar, Reja do të aktivizojë Balajn, përkrah të cilit mund të debutojë Broja, i cili është në balotazh me Sadikun.

Edhe pse është kundërshtari më i dobët në letër në grupin e Ligës së Kombeve, historiku i Kombëtares me Lituaninë nuk është pozitiv. Në katër përballje, dy zyrtare dhe dy miqësore, kuqezinjtë kanë një fitore dhe janë mposhtur dy herë, ndërsa një test i fituar 4-1 nga Kombëtarja në vitin 2013 nuk njihet zyrtarisht nga UEFA, pasi ekipet e kaluan numrin e lejuar të zëvendësimeve.


TË NGJASHME