HomePolitikë

LDK dhe Vetëvendosje, mocion kundër…


Partitë më të mëdha të opozitës në Kosovë kanë nisur të bashkërendohen për rrëzimin e qeverisë së Ramush Haradinajt.

Mosrealizimi i disa objektivave socialë dhe ekonomikë që qeveria e Kosovës kishte premtuar dy vite më parë ka detyruar partitë më të mëdha të opozitës që të koordinohen për rrëzimin e saj. Nismës për votëbesimin e qeverisë i janë bashkuar LDK dhe Vetëvendosje, ndërsa pritet edhe kontributi i socialdemokratëve.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi të mërkurën pas takimit me homologun e tij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, se ka nisur puna për përpilimin e mocionit të mosbesimit.

Kurti: “Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik e jo për korrupsion institucional. Qytetarët duan qeverisje të re, të mirë e të drejtë dhe jo keqqeverisje që na e rrit borxhin, zhvat buxhetin dhe falimenton ndërmarrjet. U pajtuam që t’i bëjmë përgatitjet e nevojshme për rrëzimin e qeverisë.”

Nisma për votëbesimin e qeverisë dhe zgjedhje të reja u parashtrua nga LDK edhe nëntorin e kaluar.

Atëkohë u arsyetua se institucionet e dala nga zgjedhjet e vitit 2017 nuk po funksionojnë në interes të forcimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës, nuk kanë adresuar korrupsionin e lartë dhe nepotizmin, dhe nuk kanë dhënë zgjidhje për situatën e papunësisë apo emigrimin në masë të qytetarëve.

Në këtë ndërmarrje përpos Vetëvendosjes është ftuar të bashkohet me 12 votat e saj edhe Partia Socialdemokrate, e cila është shprehur e gatshme të ulet në bisedime, ndonëse mbetet dyshuese për seriozitetin e nismës dhe ka vënë kusht që të mos rrëzimi i qeverisë të mos realizohet me votat e partisë së minoritetit serb.

Tri partitë kryesore të opozitës aktualisht numërojnë 56 deputetë, ndërsa për të pasur sukses u nevojiten edhe 5 vota më shumë në Kuvendin e Kosovës.


TË NGJASHME