HomePolitikë

Letra/ Meta: Për 2-3 orë publikojmë edhe komentet

Menjëherë pas publikimit të letrës drejtuar Presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, dhe të gjithë anëtarëve të këtij komisioni, Presidenti Ilir Meta ka thënë nga Lezha se për dy-tre orë do të publikojë edhe të gjitha komentet, që sipas tij, janë 100% shteruese dhe ashtu siç ka thënë vetë ai: Konfirmimi i mbrojtjes në mënyrë të shkëlqyer të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ndër të tjera, Meta ka deklaruar se duhet urgjent një reflektim që vendi të rikthehet në binarët e Kushtetutës dhe të shtetit ligjor, si dhe një dialog politik, që frymëzon një bashkëpunim midis gjithë shqiptarëve.

“Tani sapo është publikuar letra ime, për Presidentin e Komisionit të Venecias dhe të gjithë anëtarët. Për dy-tre orë do të publikohen të gjitha komentet, janë 100% shteruese dhe janë ashtu siç kam thënë: Konfirmimi i mbrojtjes në mënyrë të shkëlqyer të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Unë jam i bindur se vendi ynë i ka të gjitha mundësitë që përmes një reflektimi të shpejtë të rivendoset në binarët e Kushtetutës, të shtetit ligjor, dhe njëkohësisht edhe të një dialogu, i cili frymëzon një bashkëpunim midis gjithë shqiptarëve dhe sidomos jep siguri për të rinjtë se e ardhmja është këtu”, ka thënë Meta.

Komisioni i Venecias publikoi pak ditë më parë raportin, në të cilin theksonte se Kreu i Shtetit ka tejkaluar kompetencat kushtetuese me anulimin e 30 qershorit, por jo aq rëndë sa për t’u shkarkuar.


TË NGJASHME