HomeLajmi i Fundit

Lëvizte me armë në brez, kush është i rrezikshmi që u arrestua

Një 32-vjeçar, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, është arrestuar në flagrancë në qytetin e Shkodrës ndërsa lëvizte me armë në brez.

I arrestuari Gjekson Pusi ishte pikasur nga kalimtarë të rastit se në brez kishte armë zjarri. Pas kësaj, ata e kanë denoncuar rastin në Polici, duke bërë që brenda pak minutave efektivët e Komisariatit të Shkodrës ta prangosin në kushtet e flagrancës. Arrestimi i tij u krye në lagjen “Vasil Shanto” dhe në momentin që konstatoi se po i afroheshin punonjësit e Policisë, tentoi të largohej me vrap.

“Nga strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, në vijim të punës për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, falë informacioneve të marra nga qytetarët, si dhe një pune të mirorganizuar, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj.P., 32 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar më parë me 8 vite burg për veprën penale ‘Vjedhja me armë’.

Në lagjen ‘Vasil Shanto’, Shkodër, shërbimet policore kanë lokalizuar personin e dyshuar, i cili qarkullonte me një automjet dhe i kanë bërë shenjë të ndalojë. Në momentin që 32-vjeçari ka parë Policinë, ka tentuar të largohet dhe ka hedhur një armë zjarri pistoletë tip “Zastava” me dy krehra me fishekë, por është bllokuar dhe arrestuar nga Policia”, bëhet e ditur në komunikatën për mediat.

Ndërkohë, Policia e Shkodrës vijon hetimet për dokumentimin e ngjarjeve të mëparshme, në të cilat dyshohet së është i përfshirë. 32-vjeçari konsiderohet autor i disa ngjarjeve kriminale, por Policia nuk bën të ditur më shumë informacion. Ndërkohë, materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

PRECEDENTI

Në prill të vitit 2010, kur ishte vetëm 23 vjeç, Gjekson Pusi u arrestua bashkë me disa persona të tjerë. Ndalimi i tij erdhi pas përfshirjes në një përplasje me armë, në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër.

David Lazri, 27 vjeç, sipas hetimeve të Policisë në atë kohë, ka tentuar të qëllojë me armë zjarri mbi Pusin. Ndërsa vetë Gjekson Pusi u vu në pranga pasi nuk kallëzoi ngjarjen dhe gjatë ndalimit u kap me armë zjarri.

Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i 27-vjeçarit Edmond Rrotani dhe i 23- vjeçarit Luigj Staka, pasi kanë ndihmuar autorin e krimit, David Lazri, të largohej për t’i shpëtuar ndjekjes nga shërbimet policore dhe të strehohej në Tiranë.