HomePolitikë

Liberalizimi i vizave/ Kosova merr votëbesimin në PE

Nisma e Tanja Fajon, eurodeputete dhe raportuese për liberalizimin e vizave në Kosovë, ka marrë ditën e sotme miratimin e Parlamentit Europian. Parlamenti Europian votoi për vazhdimin e mandatit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, me 331 vota pro dhe 126 kundër.

Sipas ekspertëve, ky vendim i Parlamentit Europian, nënkupton mbështetjen e europarlamentarëve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky vendim dhe rezultatet e këtij votimi do të mbeten në fuqi edhe në mbledhjen e ardhshme të Parlamentit, që do të mbahet pas zgjedhjeve të muajit maj.

Parlamenti Europian ka votuar edhe më herët për heqjen e regjimit të vizave, por në atë kohë, rezoluta u hodh poshtë, për shkak se nuk i bindi disa ministra të Brendshëm të vendeve anëtare të bllokut.

“Tani i takon Këshillit Europian të bëjë punën e tij”, shkroi Fajon në Twitter. “Shumica votoi në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. I bëjmë thirrje Këshillit të veprojë tani”, këmbënguli ajo.


Fajon këmbënguli të tregonte se BE-ja ka dështuar të realizojë premtimet e saj ndaj Kosovës. Ndërsa në sallë pati debate, e dallimet mbi këtë çështje ishin të qarta.

Pas këtij votimi, i menjëhershëm ishte reagimi i Ramush Haradinaj. Në një status në rrjetin social Facebook, ai, në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës iu bëri thirrje anëtarëve të bllokut t’i japin drejtim kësaj çështjeje, ndërsa lëvizjen e lirë e konsideron si të drejtë të fituar dhe të pakontestueshme, tani kur mbushen 7 vite nga dita e dorëzimit të udhërrëfyesit për vizat.


TË NGJASHME