HomeSociale

Lirimi i Alvin Berishës, flet Lleshaj

lleshaj

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka dhënë detaje lidhur operacionin e lirimit të 11-vjeçarit Alvin Berisha nga kampi Al-Hol në Siri. Në emisionin Opinion, ai tha se gjithë meritat në këtë operacion e kishte shteti shqiptar.

“Alvin Berisha është i lirë, është kthyer në familjen e tij falë një punë të disa autoriteteve: italiane, shqiptare, kryqi i kuq, gjysmë hëna e kuqe etj… Unë kam qenë atje për të përshpejtuar këtë proces”, tha Ministri i Brendshëm.

“Të gjithë ata njerëz aty janë pjesë e ekipit shqiptarë. Nuk kam shkuar unë për të bërë operacionin, nuk kam shkuar unë ta zhvilluar operacionin. Nisma për operacionin është ndërmarrë nga Republika e Shqipërisë, na kanë ndihmuar Italia, Kryqi i Kuq dhe gjysmë hëna e kuqe. Ata kanë vepruar në emër dhe për llogari të shtetit shqiptar. Kemi marrë dhe autorizimi nga babai për lirimin, e ka dhënë për policinë shqiptare. Qeveria italianë ka punësuar ngushtësisht me ne”, theksoi më tej Ministri.

Lleshaj thotë se plani i qeverisë për të tërhequr shqiptarët nga Siria dështoi, pas tërheqjes së amerikanëve si dhe futjes së Turqisë brenda Sirisë. Në emisionin Opinion, ai tha se tani po ribëhet një plan tjetër për të tërhequr shqiptarët nga kampet në Siri.

Në do të procedojmë me sukses. Në po punojmë fort që unë jam i angazhuar personalisht, për arsye se kur e shikon situatën në terren. Kur e kam parë këtë fëmijë, kur e kam prekur me dorë… Gjatë vizitës në Bejrut vlejti jashtëzakonisht shumë për mua për të lidhur kontakte. Kemi shpresë se shumë shpejt do të bëjmë një zgjidhje të këtij problemi”, tha ministri i Brendshëm.

Ne besojmë që ky kanal i ri, nga Bejruti, mund të funksionojë, kemi marrë disa garanci. Sigurisht që nuk punohet në një opsion. Shpresa ime personale, pas takimit që kam patur në Liban mund ta përdorim për të tërhequr edhe të tjerët”, tha më tej zoti Lleshaj.

Blendi Fevziu: Kush e kreu operacionin?

Sandër Lleshaj: Operacioni është kryer nga një bashkëpunim i policisë shqiptare, Kryqit të kuq, Gjysmë Hënës së kuqe dhe autoritetet italiane.

Blendi Fevziu: Kush e ndërmori nismën?

Sandër Lleshaj: Nisma u ndërmor nga Republika e Shqipërisë. Republika e Shqipërisë, sepse këtu bëhet fjalë për një qytetar shqiptar, i cili është përgjegjësi e shtetit shqiptar dhe iniciativa është marrë nga Republika e Shqipërisë përmes një shkrese zyrtare që ambasada jonë në Romë i ka drejtuar Gjysmë Hënës së Kuqes të Sirisë, ku i ka kërkuar mbështetje për segmentin e parë të operacionit, që ishte lëvizja nga kampi Al Hol deri në kufirin e Sirisë. Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna e Kuqe kanë vepruar në emër dhe për llogari të shtetit shqiptar, me autorizimin tonë. Ato nuk mund të veprojnë vetëm, pa patur një autorizim. Pra kanë punuar në emër të shtetit shqiptar. Pastaj ka pasur një segment të dytë, ku ka qenë në lojë vetëm shteti shqiptar, pra nga kufiri i Sirisë deri në dorëzimin e djalit në ambasadën italiane. Më pas ai është pajisur me dokumente të udhëtimit për të shkuar në Itali.

Lleshaj pati një debat të ashpër me gazetaren Klodiana Lala këtë të hënë në emisionin Opinion.

Teksa po diskutohej për shpëtimin e Alvin Berishës, gazetarja i kërkoi llogari ministrit se pse nuk ishte bërë asgjë për të tërhequr edhe shqiptarët e tjerë nga Siria.

Pjesë nga debati

Klodiana Lala: Kë keni shpëtuar? Alvin Berishën që ndërhynë italianët…

Ministri Sandër Lleshaj: Do bësh pyetje apo komente, se me komente nuk flas unë.

Klodiana Lala: Kam të drejtën edhe të komenteve.

Ministri Sandër Lleshaj: Jo nuk kam ardhur për komente. Nuk komentoj me ju.

Klodiana Lala: Këtë e vendos drejtuesi i emisionit nuk e vendosni ju.

Ministri Sandër Lleshaj: E vendos edhe unë. Komete nuk bëj unë. Më bëj pyetjen. Zonja Lala kam ardhur me idenë se gazetarët bëjnë pyetje.

Klodiana Lala: Po të bëj pyetjen. Nga Marsi në Tetor çfarë bëtë? Goditja e grupit xhihadistëe ka ndodhur në vitin 2014. Ne nuk e kishim të panjohur situatën.

Ministri Sandër Lleshaj: Rënia e ISIS ka shtruar çështjen e tërheqjes së luftëtarëve.

Klodiana Lala: Po ju pyes konkretisht për një periudhë 8-mujore ku ju nuk keni bërë asgjë përveçse flisni për plane në letra.

Ministri Sandër Lleshaj: Për këto flisni nesër në gazeta. Gjithë çështja për shpëtimin e fëmijëve ka lindur pas lindjes së ISIS si entitet.

Klodiana Lala: Në muajin mars deri kur hynë turqit janë 8 muaj zoti ministër. Është kohë shumë e gjatë për ta bërë.

Ministri Sandër Lleshaj: Sikur të ishit ju ndoshta do e kishit bërë. Nuk është aq kollaj atje.

Klodiana Lala: Nuk po pretendoj se është kollaj.

Ministri Sandër Lleshaj: Zonja Lala mundoheni për hir të gjërave shiheni pozitiv. U shpëtua një njeri. Kur shpëtohet një njeri mund të jetë shpëtuar një qytetërim i tërë, një fis i tërë që shpresoj se vjen pas atij djali. Është bërë shumë edhe me një njeri.

Klodiana Lala: Kjo është shumë patetike Zoti ministër.

Ministri Sandër Lleshaj: Është realiste…


TË NGJASHME