HomePolitikë

Liroi me kusht 3 personazhe të krimit/ Gjykatësja Enkelda Hoxha kërkon kohë për përgatitjen e mbrojtjes

Artur Metani, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ka asistuar sot gjatë seancës dëgjimore në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ku ka shtruar si kërkesë shqyrtimin e masës disiplinore të caktuar për magjistraten Enkeleda Hoxha.

Ndaj Hoxhës është marra disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, pasi gjatë ushtrimit të detyrës si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, ka kryer shkelje të rënda profesionale, të cilat diskretitojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.

Enkeleda Hoxha, i ka kërkuar kohë KLGJ-së për të përgatitur parashtresat e saj për raportin hetimor të paraqitur nga ILD, dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani dakortësoi me kërkesën e magjistrates .

Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi kërkesën e magjistrates dhe caktoi seancën e rradhës dëgjimore më 29 Janar ora 11.00.

Pas raportimeve në media për vendimet ndaj Hekuran Billës, Ilir Pajës dhe Endrit Dokles, të cilët u liruan, Inspektori i Lartë i Drejtësisë mori në konsideratë dhe nisi verifikimin e gjyqtares Enkeleda Hoxha

Rikujotjmë se Ilir Paja, i dënuar më 17 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, kërkoi lirim të parakohshëm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë tre herë brenda vitit 2017. Ndërsa dy prej kërkesave u rrëzuan, kërkesa e tretë u pranua nga gjyqtarja Hoxha.

Gjatë muajit janar, magjistratja Enkeleda Hoxha, ka liruar me kusht Endrit Doklen, i cili ka qënë i dënuar me burgim të përjetshëm, i akuzuar se ka qënë pjesëmarrës në Bandën e Durrësit, si dhe për një sërë akuzash të tjera.

Më tej, përmes 7 vendimesh të tjera, ajo i ka llogaritur Dokles kohë paraburgimi shtesë nga viti 2012 deri në vitin 2014 dhe i ka njohur atij përfitimin e 4 viteve ulje dënimi nga 3 amnisti radhazi dhe një ulje tjetër dënimi.

Sakaq në shkurt të vitit 2019, Hoxha ka liruar me kusht edhe Hekuran Billën, i cili ishte dënuar në vitin 2008 me burgim të përjetshëm në Mbretërinë e Bashkuar për një vrasje të kryer në 2006-ën. Billa u ekstradua për të vuajtur dënimin në Shqipëri. Më tej, Gjykata e Apelit Tiranë e uli dënimin në 25 vite burg në vitin 2016 dhe në shkurt 2019 dhe pas kësaj gjyqtarja Hoxha vendosi lirimin e tij.

1 vit pas lirimit Billa u ekzekutua me armë zjarri.


TË NGJASHME