HomeSociale

Lleshaj mesazh studentëve: Do jeni portreti i ri

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj teksa ka uruar studentët për nisjen e vitit mësimor në Akademinë e Sigurisë, deklaroi se ata do të jenë portreti i ri i Policisë së Shtetit.

Ministri tha se qëllimi i vetëm që duhet të kenë studentët është që të ndërtohet një organizatë e motivuar ‘policia që duam’.

“Të dashur kursantë dhe studentë, Zonja dhe zotërinj! Përpara një jave zhvilluam ceremoninë e diplomimit të 402 kursantëve dhe studentëve të AS dhe sot shënojmë një tjetër moment shumë të rëndësishëm për Policinë e Shtetit. 500 kursantë dhe studentë të rinj, prej të cilëve 59 vajza, që fillojnë procesin mësimor për t’u bashkuar në përfundim të tij me radhët e Policisë së Shtetit. 500 djem e vajza të rinj që u përzgjodhën ndër disa mijë konkurrentë, përmes një procesi të fortë. Kjo prurje e re përfaqëson një injeksion madhor, një rekord një investim shumë thelbësor për policinë që duam. Ky numër është, në të njëjtën kohë, edhe një shtesë tjetër neto në numrin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, e cila do të ketë edhe 500 vende më shumë në organikën e saj. Në këtë mënyrë, ajo vijon të rritet dhe të modernizohet në të njëjtën kohë, duke kaluar kështu përmes dy proceseve shumë të rëndësishme. Në radhët e atyre që fillojnë sot, janë edhe 30 studentë që, pasi kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera studimet universitare, janë përzgjedhur ndër rreth 600 konkurrues përmes disa testimesh, përfshirë edhe atë të gjuhës angleze, do të fillojnë Kursin e Oficerit të Policisë Kriminale dhe më pas do të përfshihen në strukturat e hetimit në Policisë e Shtetit. Ky kontigjent vijon risinë e kursit të mëparshëm dhe është pjesë e një projekti ambicioz, për të arritur një hop të panjohur më parë në cilësinë e strukturave të hetimit të krimit. Të nderuar kursantë dhe studentë, Me vendimin për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, ju keni marrë një ndër vendimet më të rëndësishme të jetës tuaj. Ju tashmë keni nisur rrugën e jetës, e cila me siguri që do të jetë plot sfida dhe vështirësi të shumta. Dhe pikërisht për këtë, rruga juaj do të jetë edhe plot kuptim dhe vlerë. Duhet të jeni të qartë se përmes konkurrimit keni arritur të dëshmoni se jeni ndër më të mirët. E ky është një lajm i parë shumë i rëndësishëm. Por sot jeni vetëm në fillim. Arsimimi juaj policor fillon tani për të mos u mbyllur deri në fund të karrierës tuaj. Është me shumë rëndësi të kuptoni se Akademia e Sigurisë nuk është një vend për të kaluar kohën, por një vend për t’i dhënë kuptim dhe vlerë kohës dhe jetës tuaj. Në funksion të këtij qëllimi të lartë, Akademia do t’ju vërë përballë sfidash të shumta për mendjen, trupin dhe karakterin. Që të mbërrini në fund të këtij udhëtimi që nisni sot duhet të dëshmoni se keni mendje, trup dhe karakter të fortë; se tek Policia e Shtetit nuk kërkoni thjesht një punëdhënës të sigurt; se suksesin nuk e gjeni tek rruga e shkurtër; se qëllimi juaj në jetë nuk është thjesht e vetëm pasuria apo mirëqenia personale, por edhe shërbimi me besnikëri ndaj interesit publik; se tek Policia e Shtetit nuk vini vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë. Deri më sot keni arritur të provoni se zotëroni vetëm parakushtet për fillimin e një rrugëtimi. Nga sot duhet të dëshmoni se keni edhe rezistencën dhe qëndrueshmërinë e plotë për të mbërritur në destinacion. Akademia dhe Policia e Shtetit do të përpiqen që gjatë këtij udhëtimi t’ju vënë në provë të vërtetë, një provë të vështirë dhe të ndërlikuar. Megjithatë duhet të dini se gjithçka varet nga ju. Por një gjë është tashmë e sigurtë: nëse doni, ju do të mundni. Qeveria Shqiptare, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë plotësisht të angazhuara për të mbështetur me të gjitha mënyrat këtë investim shumë të rëndësishëm. Projekte madhore janë në zhvillim për modernizimin e Policisë dhe të Akademisë, ndër të cilët kryeson ai për ndërtimin e kampusit të ri të Policisë së Shtetit, pjesë e të cilit është edhe vetë Akademia e Sigurisë:, tha ai.

Lleshaj pohoi se policia po vijon të rritet në kapacitetet e saj çdo ditë, ndërsa foli edhe për një projekt binjakëzimi me një institucion homolog nga vendet e BE.

“Po ashtu, së shpejti do të bëhet i njohur partneri i ri i binjakëzimit të Akademisë me një institucion homolog nga Bashkimi Europian, në kuadër të një projekti të rëndësishëm me Komisionin Europian, që synon vendosjen e standardeve të reja për organizmin dhe funksionimin e Akademisë së Sigurisë. Përmes këtij programi intensiv arsimimi dhe trajnimi, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Brendshme synojnë që Policia e Shtetit të arrijë në nivele krejt të reja, të krijojë një profil të ri profesional, të marrë një fizionomi plotësisht europiane, të jetë ekzaktësisht Policia që duam. Një organizatë ekselente, e motivuar, e besueshme, e re, dinamike dhe me integritet të lartë. Që ajo t’i ketë këto tipare, ato duhet që t’i ketë secili prej anëtarëve të saj, secili prej jush. Ne jemi të gjithë të bindur dhe besimplotë që ju do të bëheni bartës dinjitozë të këtyre vlerave, portreti i ri i Policisë së Shtetit shqiptar”, pohoi Lleshaj.


TË NGJASHME