HomeSport

Llullaku i dërgon “SMS” Partizanit: Më josh Liga e Kampionëve

Partizani tenton sulmuesin e Kombëtares, Azdren Llullaku. Mesa duket, “bomba” e merkatos së verës do të jetë pikërisht lojtari i lindur në Istog të Kosovës. Nuk është thjesht një ide, por klubi i kuq ka nisur të lëvizë “gurët” për të bindur 31-vjeçarin që ka pak ditë që prishi kontratën me rumunët e Astra Giurgiu.

Lajmin e konfirmon ekskluzivisht për “Panorama Sport” vetë Llullaku, i cili përmes linjës telefonike nuk e fsheh dëshirën për të luajtur në Ligën e Kampioneve me Partizanin. Megjithatë, ai tregohet i kujdesshëm në deklaratën e tij, pasi gjërat janë ende në fazën fillestare dhe nuk mund të thuhet se marrëveshja është arritur.

“Të jem i sinqertë, deri më tani kam pasur kontakte vetëm përmes menaxherit tim, por kjo do të bëhet realitet kur vetë klubi të më thërrasë mua. Nëse do të ketë një hap konkret, normalisht do të ulemi të bisedojmë.

Me drejtuesit e Partizanit nuk kam pasur kontakte direkte”, ka thënë fillimisht Llullaku. I pyetur nëse do të dëshironte të ishte pjesë e Partizanit, sulmuesi jep një përgjigje të sinqertë. “Është një ekip shumë i mirë, e kam ndjekur. Normalisht që dëshira të luaj në Champions është e madhe”, pranoi sulmuesi kuqezi, i cili numëron 6 ndeshje me Kombëtaren shqiptare./panoramasport


TË NGJASHME