HomePolitikë

Lobimi në ShBA/ ‘Balkan Insight’: Prokurorët në Tiranë nuk ngritën padi për foton e Ramës me Obamën

Mediat e huaja i kanë kushtuar vëmendje rastit të një dite më parë, kur kreu i PD, Lulzim Basha dëshmoi në Prokurorinë e Tiranës , lidhur me hetimet për një pagesë të hamendësuar lobimi të Partisë Demokratike.

Prokuroria doli me një deklaratë disa orë pas dëshmisë së Bashës dhe tre zyrtarëve të tjerë të PD se nuk është deklaruar një shumë prej 650 mijë dollarësh, çka u hodh poshtë nga opozita.

‘Balkan Insight’ ka bërë një përshkrim të ngjarjes së djeshme, por kujton edhe rastin e Edi Ramës, kur në 2012-ën, kur ishte lider i opozitës, sot kryeministër, realizoi një foto me ish-presidentin e ShBA, Barack Obama. Media e huaj kujton se pavarësisht akuzave, organet e drejtësisë në Shqipëri nuk ngritën padi kundër Ramës.

Pjesë nga artikulli:

Partitë politike shqiptare kanë shpenzuar miliona dollarë gjatë viteve të fundit në lobimin në SHBA midis qeverisë dhe institucioneve të tjera të SH.B.A.-së.

Në 2016, prokurorët në Tiranë nisën një hetim paraprak mbi një pagesë prej 80,000 dollarë amerikanë pasi Bilal Shehu, një shtetas shqiptaro-amerikan, u deklarua fajtor lidhur me një donacion të paligjshëm në fushatën e Barack Obamës në San Francisko në tetor 2012.

Fondet u përdorën për të marrë Kryeministrin aktual të Shqipërisë, Edi Rama,  në atë kohë lider i opozitës, si pjesëmarrjen në një takim me Presidentin e SHBA­-ve, Barack Obama, ku përfitoi të bënte dhe një foto që më pas u shpërnda në media.

Prokurorët shqiptarë kurrë nuk kanë ngritur padi kundër Ramës për çështje.

Kujtojmë se gjykata amerikane ka shpallur fajtor dhe ka dënuar një vit Bilal Shehun, pronarin e një servisi makinash në New Jersy, i cili i mundësoi Edi Ramës në tetor të vitit 2012 pjesëmarrjen në një takim me Presidentin e SHBA­-ve, Barack Obama.

Një gjykatë në Neë Jersey e shpalli fajtor Shehun për donacionin me vlerë 80 mijë dollarë, pasi ai pranoi para togave të zeza se shuma e parave kishte një burim jashtë SHBA­-ve, ç’ka është e dënueshme nga legjislacioni amerikan.

Ligjet në SHBA ndalojnë shtetasit e huaj që të japin kontribut për fushatën elektorale presidenciale.

Për këtë çështje lideri i opozitës shqiptare, Lulzim Basha bëri një kallëzim penal në korrik duke pretenduar se burimi i parave vinte pikërisht nga Kryeministri, Edi Rama, i cili edhe realizoi foton me Obamën.


TË NGJASHME