HomeTeknologji

Lojtarëve të “GTA V” u shkon policia në shtëpi

Rockstar Games, kompania që ka prodhuar një nga lojërat më të suksesshme në histori, “Grand Theft Auto”, ka ngritur padi në gjykatën australiane kundër pesë lojtarëve që kishin futur një program në sistemin “Online” të lojës, që u mundësonte të bënin mashtrime.

Loja “online” e GTA 5 është falas, për këdo që e zotëron lojën, por ata që duan të kenë më shumë armatime, apartamente luksi, makina e mjete fluturuese më të shpejta, (në lojë, sigurisht), duhet të paguajnë parà të vërteta që t’i marrin pa u munduar nëpër misione.

Me 2.5 euro të botës reale mund të blesh 100,000 dollarë për t’i përdorur në lojë. Dhe me 75 euro mund të blesh 8 milionë dollarë të lojës.

Por programi “pirat” u jepte lojtarëve pafundësi municionesh e parash, si dhe mundësi për t’u zhvendosur në cilën pikë të hartës që të dëshironin, (teleport), duke fituar përparësi ndaj të tjerëve që kishin shpenzuar.

Gjykata e ka pranuar padinë dhe ekipet e ndërhyrjes së shpejtë kanë hyrë me forcë nëpër shtëpitë e australianëve “hileqarë”, për t’u sekuestruar kompjuterët e për t’i sjellë para drejtësisë.

Loja GTA 5 ka dalë në treg në vitin 2013, por vazhdon të mbetet nga më të luajturat edhe sot. Disa modifikime më të fundit që i janë bërë versionit PC, e bëjnë qytetin e Los Anxhelosit, që imitohet në lojë me emrin Los Santos, të duket edhe më real.


TË NGJASHME