HomePolitikë

Luan Rama dedikim mjekëve

Luan Rama me një postim në Facebook ka bërë një dedikim të ndjerë për mjekët në këtë situatë të vështirë që po kalojmë në përballje me koronavirusin. Ai i cilëson ata ëngjëjt e botës që ruajnë jetët e njerëzve, duke i qendruar besnikë betimit të Hipokratit.

ENGJËJT E BOTËS

( Dedikim mjekëve)

Kapluar në ethe,
Prej ashtit të vet
Bota rënkon dhembjen e njeriut!

Ngrijnë retë nëpër qiell
Prej piskamës së shpirtit,
E dhembja në dhembje mpihet!

Yjet – kristale gjaku,
Rrugën e Qumështit gjakojnë,
Ndërsa bota pezmon në detin e dhembjes së vet!

Mes Skillës dhe Karibdës,
Flama – kurorë,
Luan me fatin e saj!

Rrugët e botës,
Si damarë të zbrazur,
Presin të ndjejnë prapë
Vlagën e jetës.

Qytetet e botës
të ndalur në bosh,
Presin këngën e njeriut,
që të mos ngjajnë më si arkëmorte ëndrrash të vrara!

Shpirti i Dantes,
Më dha këngët e Beatriçes,
T’ju falem mjekëve – engjëj të botës,
Që jetën kanë mbështjellë me dritën e syrit,
Dhe e ruajnë si amanetin e brengës së madhe të Hipokratit!

Asnjë të mos harrojë se është njeri!


TË NGJASHME