HomeOP-ED

Lufta e ftohtë Perëndim-Kinë, gjëja e fundit që i duhet këtij shekulli

Nga Joschka Fischer, Project Syndicate

Samiti i G7-ës që u zhvillua këtë muaj duket se konfirmoi atë që ka qenë prej kohësh e dukshme: Shtetet e Bashkuara dhe Kina po hyjnë në një luftë të ftohtë, të ngjashme me atë që ndodhi midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Perëndimi nuk e sheh më Kinën vetëm si një konkurrente dhe rivale, por si një qytetërim civilizues. Sërish, konflikti duket se ka të bëjë me “sistemet” që e përjashtojnë reciprokisht njëri-tjetrin.

Dhe në kushtet e një përplasje përshkallëzuese midis vlerave dhe pretendimeve konkurruese për pushtet dhe udhëheqje globale, një përballje ushtarake – ose më së paku një garë e re armësh – duket se është bërë një skenar më se i mundshëm.

Por nga një shqyrtim më i afërt rezulton se krahasimi i Luftës së Ftohtë është mashtrues. Rivaliteti sistematik midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, u parapri nga një prej luftërave më “të nxehta” përgjatë historisë, dhe pasqyroi linjat e frontit të këtij konflikti.

Ndonëse SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik ishin fitueset kryesore pas kapitullit të Gjermanisë dhe Japonisë, ata kishin qenë tashmë armiq ideologjikë që para fillimi të luftës. Nëse Gjermania e Hitlerit dhe Japonia perandorake nuk do të kishin kërkuar dominimin e botës përmes pushtimit ushtarak, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik nuk do të kishin qenë kurrë aleate.

Sapo përfundoi lufta, rifilloi edhe përballja midis komunizmit sovjetik dhe kapitalizmit demokratik perëndimor. Armiqësia e tyre u intensifikua nga brutaliteti i sovjetizimit të imponuar në Evropën Qendrore dhe Lindore midis viteve 1945-1948.

Njëherazi, agimi i epokës bërthamore kishte prishur ekuilibrat, duke e bërë të pamundur çdo luftë të ardhshme për hegjemoninë globale pa vetë-shkatërrimin. Shkatërrimi i sigurt i ndërsjellë e mbajti “të ftohtë” përballjen midis superfuqive, edhe pse kërcënoi gjithë njerëzimin me një katastrofë bërthamore.

Nëse Bashkimi Sovjetik dhe Pakti i Varshavës nuk do të ishin shembur 4 dekada më vonë, konflikti do të kishte zgjatur për një kohë të pacaktuar. Ndërkohë sot situata midis Perëndimit dhe Kinës është krejtësisht e ndryshme.

Megjithëse Partia Komuniste e Kinës e quan vendin “socialist” për të justifikuar monopolin e saj politik, askush nuk e merr seriozisht këtë emërtim. Kina nuk e përcakton ndryshimin e saj nga Perëndimi në përputhje me pozicionin e saj mbi pronën private.

Përkundrazi, Pekini bën dhe thotë gjithçka që është e nevojshme për të ruajtur qeverisjen njëpartiake. Që nga reformat e Deng Xiaoping në fund të viteve 1970, Kina ka krijuar një model hibrid që harmonizon ekonominë e tregut me atë tëplanifikuar, si dhe pronësinë shtetërore dhe atë private.

Në krye të këtij modeli të veçantë qëndron Partia Komuniste Kineze. Karakteri hibrid i sistemit kinez, është ai ku bazohet edhe suksesi i tij. Kina është në rrugën e duhur për t’ia kaluar SHBA-së si teknologjikisht ashtu dhe ekonomikisht rreth vitit 2030, një arritje që Bashkimi Sovjetik nuk pati shansin asnjëherë ta arrinte në asnjë moment të historisë së tij 70-vjeçare.

“Socializmi i miliarderëve” në Kinë, është qartazi më i aftë për të konkurruar me Perëndimin se sa ishte sistemi i vjetër sovjetik. Nëse rivaliteti i sotëm sistematik nuk është i njëjtë me Luftën e Ftohtë, atëherë për çfarë do të vlente një Luftë e Ftohtë e dytë?

A mos qëllimi është që të detyrohet Kina të bëhet më perëndimore dhe demokratike? Apo thjesht të mbahet nën kontroll fuqia e Kinës, dhe që kjo e fundit të izolohet në aspektin teknologjik (ose, së paku të ngadalësojë ngjitjen e saj)? Dhe nëse Perëndimi do të arrinte ndonjë nga këto objektiva, çfarë atëherë?

Në fakt, asnjë nga këto objektiva nuk mund të realizohet ndonjëherë me një kosto të arsyeshme për palët e përfshira. Kina është shtëpia e 1.4 miliardë njerëzve, që mund të shohin se u ka ardhur mundësia historike për udhëheqjen e botës.

Duke pasur parasysh shkallën e tregut kinez dhe ndërvarësitë ekonomike që ai krijon, ideja se Kina mund të izolohet është absurde. Por ndoshta kjo qasje ka të bëjë më shumë me pushtetin sesa me ekonominë. Kush do të jetë hegjemoni i shekullit XXI?

Duke u bashkuar me pjesën tjetër të Perëndimit, a do të mundet SHBA të ndryshojë vërtet trajektoren historike të ngritjes së Kinës, dhe rënien relative të Perëndimit? Unë dyshoj që jo. Pranimi nga Perëndimi, se Kina nuk do të bëhet më demokratike nga zhvillimi i saj ekonomik dhe integrimi në ekonominë globale, është ende i domosdoshme edhe për shumë kohë.

Lakmia e mbajti në këmbë atë fantazi për shumë kohë. Por unë parashikoj që ky shekull nuk do të karakterizohet kryesisht nga një rikthim në politikën e fuqive të madhe, edhe nëse për momentin duket se po ndodh kështu.

Përvoja e pandemisë, na detyron të kemi një fushëpamje më të gjerë. Covid-19 ishte një parathënie e thjeshtë e krizës së klimës, një sfidë globale që do t’i detyrojë fuqitë e mëdha të përqafojnë bashkëpunimin për hir të njerëzimit, pavarësisht se kush është “Nr.1”.

Për herë të parë pandemia e ka shndërruar “njerëzimin” në më shumë sesa thjesht një abstragim, duke e kthyer atë në një koncept me një fushë materiale për veprim. Frenimi i përhapjes së koronavirusit dhe kursimi i të gjithëve nga kërcënimi i varianteve të reja të rrezikshme, do të kërkojë më shumë se 8 miliardë doza vaksine.

Duke supozuar se ngrohja globale dhe mbingarkesa e ekosistemeve rajonale dhe globale do të vazhdojnë me shpejtësi, e njëjta fushë e veprimit global do të bëhet fusha mbizotëruese në shekullin XXI. Në këtë kontekst, çështja se kush është në krye do të vendoset jo përmes politikës tradicionale të fuqisë së madhe, por përmes mënyrës me të cilën rriten fuqitë për të siguruar udhëheqjen dhe kompetencën që kërkon situata. Në dallim nga e kaluara, një luftë e ftohtë do ta shpejtojë dhe jo parandalojë shkatërrimin e siguruar reciprokisht. 


TË NGJASHME