HomePolitikë

Lufta ndaj terrorizmit/ Cakaj: Ja çfarë sfide kemi

Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë të organizuar nga Jordania, Franca dhe Zelanda e Re.

Cakaj u shpreh se pavarësisht fitores ushtarake dhe territoriale mbi ISIL, një sfidë tjetër mbetet angazhimi i përbashkët për të zhbërë hapësirën e mundshme të narrativave që nxisin veprimet ekstremiste dhe të dhunshme.

Në një status në Facebook, Cakaj, kërkon një bashkërendim më të gjerë përpjekjesh të kompanive teknologjike, shoqërisë civile dhe bashkësive fetare e qeverive të vendeve përkatëse.

“Shqipëria ka qenë historikisht një vend shembull i harmonisë ndër-fetare dhe ka prirë në shumë angazhime luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm nëpërmes mekanizmave të saj të sigurisë. Për më shumë, Shqipëria dallohet në rajon e më gjerë edhe për zhvillimin e kurikulave të veçanta shkollore që kanë për qëllim zhbërjen e interpretimeve të shtrembëruara të doktrinave të ndryshme fetare. Së këndejmi, angazhimi i Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është në përputhje me sfidat bashkëkohore dhe në bashkërendim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.”, shkruan Cakaj.


TË NGJASHME