HomeSociale

Luljeta Bozo: Nga çfarë tjetër rrezikohemi më shumë…

Inxhinieria Luljeta Bozo është përzgjedhur nga emisioni “Opinion” si një nga personazhet e vitit 2019. Profesoresha qetësoi shumë njerëz pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit, pasi ishte ndër të paktët njerëz që shpjegonte qartë se çfarë po ndodhte me ndërtimet në vendin tonë.

Për sa i përket rreziqeve natyrore nga të cilat rrezikohen më së shumti ndërtesat në Shqipëri, Bozo u shpreh se më i frikshmi është tërmeti. Rreziqe të tjera, ajo renditi rrëshqitjet e dherave, përmbytjet dhe zjarret.

“Ne kemi shumë probleme, shumë rreziqe natyrore, më i frikshmi është tërmeti. Megjithatë pak a shumë dihet në Shqipëri kush janë zonat me aktivitet të lartë sizmik. Durrësi nuk duhet të zbrazet, por duhet të ndërtohet mirë. Rreziku i dytë janë rrëshqitjet e njëpasnjëshme. Ka mundësi që plani i rrëshqitjes të jetë 60 metra thellë, e nuk ka masë inxhinierie që e pengon atë. Rrezikun i përmbytjeve, pasi gjithë sistemi i kullimit, i prishëm të gjithë. I hoqëm gurët për të bërë shtëpi. Rreziku i fundit i zjarreve, që në shumë raste janë nga pakujdesia mos themi të qëllimshme por që prishin gjithë ekosistemet”, tha Bozo.

Ndër të tjera, Bozo rrëfeu në “Opinion” se si nisi studimet. Ajo tregoi se kishte shumë qejf fizikën, ndërkohë që në rini kishte dashur të bëhej gjeologe. Por për shkak të sistemit të kohës, dëshirat caktoheshin. Prandaj, ajo ka studiuar së bashku me shoqen e ngushtë në Institutin e Arkitekturës në Moskë.

Luljeta Bozo rrëfeu se edhe pse kishte shkuar për arkitekturë në fillim nuk dinte të vizatonte dhe këto të fundit ia bënte i vëllai.

“Edhe vizatimin teknik në shkollë ma bënte vëllai se ai kishte mbaruar poltikenikumin dhe ai më bënte vizatimet. Por aty ishte marrëveshje që ne do të shkoni atje, bënim apo jo. Në na dhanë kokën e Apollonit ta vizatonim për 4 orë. Ne rrinim shikonim njëra tjetrën dhe qeshnim se çfarë do bënim. Nuk dinim… Kur sa iku ai instruktori vijnë studentët e vitit të tretë. Ne rusishten e dinim shumë mirë, sepse gjuhë ruse në shkollën e mesme na i bënte një ruse. Erdhën ata, pam pam… Për tre minuta dhe shkuan në punën e vetë. Vjen instruktori pas gjysmë ore: Shumë mirë vajza tha, e keni bërë shkëlqyeshëm. Ne drejt e drejt: nuk e kemi bërë vetë! Ai bëri sikur nuk dëgjoi. Na merr ai ato vizatimet e tona na çon tek Zv.dekani. Edhe ky tha shumë mirë i keni vizatuar, ne po i thamë prapë nuk i kemi bërë vetë. Nuk ka problem tha, ju do ti mësoni të gjitha këto dhe kjo ishte kaq e vërtetë sa që njeriu kur do i mëson që të gjitha. Unë që nuk dija të vizatoja as një kokërr mollë, në fund të vitit të parë punën time e mbajtën si vizatimin më të mirë të grupit”, tregoi inxhinieria.


TË NGJASHME