HomePolitikë

Macron: Franca “jo” për negociatat

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk ka arritur dje në Tuluzë të bindë Presidentin francez Emannuel Macron për t’i dhënë një “Po” Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave.

Në një konferencë të përbashkët për mediat, Macron i qëndroi idesë së tij se më parë duhen përmirësuar procedurat e zgjerimit dhe të hapjes së negociatave, më pas të flitet për zgjerimin e BE-së.

Për ta konkretizuar këtë defekt, që ka në procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat e deri në hapjen e negociatave dhe anëtarësim, Macron e cilësoi të çuditshëm faktin që Shqipëria ende nuk ka hapur negociatat me BE-në, ndërkohë që qytetarët e saj lëvizin pa viza në vendet e zonës Shengen, duke u bërë azilkërkuesit më të mëdhenj në rajon.

“Dua të them, se ashtu si Kancelarja, mendoj se ky rajon është me një rëndësi strategjike për Evropën. Mendoj se kemi ende gjëra të tjera për të finalizuar, më pas të hapim negociatat. Mendoj që duhet ta reformojmë këtë procedurë që është aktualisht e pakthyeshme. Kemi dhe gjëra të çuditshme në këtë proces. Për shembull kemi lëvizjen e lirë, përpara se të hapen negociatat. Kemi lëvizjen e lirë me Shqipërinë pa hapur negociatat dhe kjo është një lloj marrëdhënie e çuditshme. Në mirëbesim kemi dhënë lëvizjen e lirë dhe kemi mijëra e mijëra persona që kërkojnë azil nga ky vend”, tha Presidenti Macron.

Ai vlerësoi përparimet që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë, por tha se Bashkimi Europian duhet të merret më parë me problemet e veta. “Unë ndaj të njëjtit vizion gjeopolitik dhe strategjik me Kancelaren gjermane, dua t’u dërgoj një sinjal pozitiv këtyre shteteve, por duke parë këtë gjë, më çon seriozisht për t’u thënë atyre: këtë herë jemi ne që kemi nevojë për pak më shumë kohë për të bërë gjërat me qetësi”, theksoi Macron gjatë konferencës për shtyp me Kancelaren gjermane Angela Merkel.

MERKEL

Nga ana e saj, Kancelarja gjermane tregoi se ku janë diferencat me Francës dhe Gjermanisë në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Mes Gjermanisë dhe Francës nuk ka diferenca për vokacionin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Nga ana franceze, ka një çështje që unë e mbështes, e cila ka të bëjë me reformën dhe procedurën e anëtarësimit dhe zgjerimit të BE-së, për të cilën duhen riparë procedurat. Në Bundestag, ne kemi vendosur dhe mendojmë që diskutimi për hapjen e negociatave të bëhet me kushtin që disa aspekte rregullatore të realizohen, dhe ka qenë gjithnjë problem se çfarë duhet bërë për të hapur kapitujt e parë të negocimit. Aty ne kemi disa diferenca mes nesh, por do të flasim nesër dhe do të shohim nëse do të arrijmë në një dakordësi mbi këtë çështje të zgjerimit të BE. Dihet se vendimet në Këshillin Europian merren në unanimitet dhe ne jemi të detyruar që të kemi qëndrime të përbashkëta, shumë herë ia kemi arritur, dhe nuk bëhet fjalë për një qëndrim franko-gjerman, por për një dakordësi mes të gjithë vendeve anëtare”, tha Kancelarja gjermane Angela Merkel./panorama


TË NGJASHME