HomeSport

Magjia Ronaldo/ Hat-trick dhe Portugalia në finale

Cristiano Ronaldo, rikthehet në kombëtare dhe këtë e bën në mënyrën më të mirë të mundshme. Në gjysmëfinalen ndaj Zvicrës, Ronaldo merr ekipin për dore, shënon një tripletë dhe siguron finalen e “Nations League“. Ndeshja nisi e shpejtë dhe e bukur me të dyja ekipet që u munduan të imponojnë lojën e tyre te kundërshtari.

Megjithatë, në minutën e 25-të Ronaldo fiton një goditje dënimi dhe e ekzekuton vetë atë në mënyrë perfekte. Një predhë nga 30 metra largësi, shtangu portierin Yann Sommer , i cili nuk mund të bënte asgje veçse të shikonte topin si hynte në rrjetë.

Do duhej të vinte minuta e 57-të, që Zvicra të reagonte dhe falë një penalltie të diskutuar dhe të riparë me anë të sistemit VAR, Ricardo Rodriguez do të barazonte shifrat 1-1.

Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, Cristiano Ronaldo do të shfaqte edhe njëherë pak nga magjia e tij duke shënuar edhe dy herë të tjera në portën e helvetikëve. Në minutën e 88-të, ylli portugez do të shërbehej brenda zonës dhe me një goditje të fuqishme, do të shënonte për 2-1.

Nuk mbaron me kaq sepse vetëm dy minuta më vonë Ronaldo do të shënonte edhe golin e tretë duke kapitulluar Zvicrën. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Ronaldo godet sërish, plotëson hat-trick personal dhe dërgon Portugalinë në finale.

https://www.youtube.com/watch?v=XKdL93zdW5o

TË NGJASHME