HomeSociale

Magjistratët e rinj, mesazhi i Arta Markut dhe ministres Gjonaj

Nga shkolla e Magjistraturës, në ceremoninë e diplomimit për magjistratët e rinj që nisin një rrugëtim të ri në sistemin e drejtësisë, kryeprokurorja e përgjithshme e përkohshme Arta Marku, në fjalën e saj dha mesazhin se sfida të mëdha i presin këta të rinj përpara dhe se këtë do ta kuptojnë shumë shpejt.

“Nuk duhet të notoni në vetë kënaqësi se ky nuk është fundi i rrugës, por fillimi i një rruge të gjatë me shumë sfida e vështirësi. Keni përfituar njohuri e eksperiencë të bollshme e këto ju bëjnë të ndiheni të fuqishëm e të përgjegjshem. Latinet thoshin se “dija është fuqi”.

E vërtetë por deri në një farë mase.

E vertete nëse veproni në mënyrën e duhur në të drejtën.

Le te kthehemi te sfidat. Shumë shpejt do e kuptoni perse e kam fjalën e do ndesheni me to.

Sistemi i drejtesise është në reformim të thellë, edhe veshtiresite jane shumë të mëdha. Unë jam e bindur se do ja dilni me energjitë e reja që do i sillni sistemit e do ndimoni në përmirëasimin e imazhit të sistemit dhe ter imazhit të Shqipërisë gjë të cilën ne të gjithë e duam”.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka deklaruar se magjistratët e rinj kanë në dorë shpatën dhe çekiçin, me të cilët mund t’i japin një perspektivë evropiane drejtësisë shqiptare. Gjonaj tha se detyra e tyre është e vështirë, në një sistem që po pëson ndryshim rrënjësor, por jo e pamundur.

“Ju keni një mision shumë të vështirë, por jo të pamundur, rikthimin e besimit të publikut te drejtësia. Ju keni në dorë shpatën, për të ndarë drejtësinë nga padrejtësia, dhe çekiçin për t’i dhënë të drejtën atij që i takon. Jam besimplotë se ju do dini të tregoni vlerat tuaja të vërteta, duke i dhënë një perspektivë evropiane drejtësisë sonë”, tha Gjonaj.

Më tej, Gjonaj deklaroi se magjistratët e rinj do kenë më shumë pavarësi dhe një status dinjitoz, me sistemin e ri të drejtësisë, në të cilin po futet vendi.

“Ky vit ka një risi, kjo ceremoni zhvillohet në shtëpinë tuaj të re, që me mbështetjen e qeverisë u bë e mundur shumë shpejt për të pasur salla akademike të denja, që do ndikojnë në formimin tuaj. Shkollimi i magjistratëve në këtë godinë do ketë ndikimin e vet. Po futeni në një sistem drejtësie, që jep më shumë pavarësi dhe një status dinjitoz. Reforma e bën rrugëtimin tuaj profesional, që do varet nga kompetenca dhe cilësia e dhënies së vendimit dhe jo më nga lidhjet me pushtetin.

Sistemi i ri i drejtësisë i jep vend të veçantë integritetit dhe etikës së magjistratit, që për herë të parë është një etikë kushtetuese. Formimi akademik është një aspekt shumë i rëndësishëm. Integriteti i magjistratit është ai që do bëjë ndryshimin rrënjësor, në pasjen e një sistemi të pakorruptuar, të paanshëm. Duhet të punojmë të gjithë që ky element të jetë i ngulitur në mendjen e çdo magjistrati. Ju do shërbeni në një sistem të ri, që do iu garantojë mbështetje institucionale dhe mundësi më të mirë financiare, duke u bazuar vetëm tek aftësitë profesionale. Ju gjithashtu mund të shfrytëzoni më mirë këtë pushtet që iu është dhënë. Ju keni fatin historik që të bëni që drejtësia në Shqipëri të përjetojë një kthesë të madhe”, deklaroi ministrja.


TË NGJASHME